Në muzeun e Bruklinit në Nju Jork, së fundmi është çelur një ekspozitë e madhe, kushtuar artistes meksikane Frida Kahlo. “Pamjet mund të gënjejnë” titullohet ekspozita më e madhe gjatë një dekade, në Shtetet e Bashkuara, për nder të atistes ikonë. Piktura, vizatime, madje edhe veshjet e sendet personale të piktores, gjenden në muzeun e Bruklinit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në mes të muajit maj, sipas VOA.
Piktorja meksikane Frida Kahlo i vinte në lojë normat shoqërore të kohës së saj. Ajo ishte ikonë mode dhe komuniste e përkushtuar, njëkohësisht. Kahlo ishte me aftësi të kufizuara.
Në ekspozitën në Bruklin, shfaqen fotografi, vizatime dhe skica, si edhe veshje apo sende të tjera personale nga shtëpia e saj në Meksiko Siti, të njohur si ‘Casa Azul’.
“Ajo duhet të ketë qenë një fëmijë shumë i vështirë për prindërit, sepse ishte e lirë. Kahlo largohej nga shtëpia dhe shkonte vetëm në treg, e veshur me rroba burrash”, – tregon Carlos Olmeda, drejtor ekzekutiv i muzeut “Frida Kahlo” në Casa Azul.
Kur ishte e vogël, piktorja u prek nga sëmundja e poliomelitit. Ndërsa filloi të pikturonte në moshën 25 vjeçare, pas një aksidenti të rëndë automobilistik, që e detyroi të zinte shtratin për një kohë të gjatë.
Ishte vetë ajo, qendra e eksperimenteve të saj artistike. Kur Kahlo bëri autoportretin e saj, u përqendrua qëllimisht tek vetullat e trasha dhe të errëta.
“Paraqitja e fytyrave të ndryshme të sa,j ishte një pjesë shumë e rëndësishme e mënyrës sesi e shihte veten. Sot ajo duket shumë moderne, çfarë e bën Frida Kahlon një personalitet tërheqës. Ajo është shumë e njohur tashmë, shumë njerëz kanë të njëjtat mendime dhe ndjenja si ajo”, – thotë Lisa Small, kuratore.
Nju Jorku ishte pjesë e rëndësishme e jetës së piktores Kahlo. Në vitin 1931, ajo erdhi në qytet për herë të parë, pasi bashkëshorti i saj, Diego Rivera, ishte ngarkuar me detyrën e krijimit të muraleve në qendrën “Rockefeller”, që sapo ishte ndërtuar.
“Asaj i pëlqente shumë Nju Jorku, filmat, King-Kongu, pastaj teatrot dhe muzetë. Kahlo shkonte shpesh në Harlem. Por, ajo ishte koha e ‘Depresionit të madh’. Në mbrëmje, ajo darkonte me familjen Rockefeller, ndërsa në mëngjes rrinte në radhë për të blerë bukë”, – thotë Catherine Morris, kuratore në muzeun e Bruklinit.
Fustanet e Frieda Kahlos ishin sipas stilit meksikan, të pazakonta dhe të ndritshme. Ajo dëshironte të befasonte të tjerët, por edhe të fshihte papërsosmëritë e saj fizike. Aksidenti automobilistik i shkaktoi dhimbje të rënda piktores, prandaj ajo mbante korse për ta lehtësuar atë.
“Njerëzit mund ta kenë cilësuar si delikate apo të dobët, por Frida Kahlo është ndoshta një nga njerëzit më të fortë që kam njohur. Ishte me aftësi të kufizuara dhe ky, është një element i rëndësishëm në ekspozitë.”
Bukuria, stili dhe pikëpamjet e saj të veçanta për botën, së bashku me kufizimet e saj, e bënë punën e piktores Frida Kahlo, argëtuese dhe befasuese, ashtu si ajo vetë.