MENU
klinika

Deklarata e Sekretarit të NATO-s

“Gjeorgjia do të anëtarësohet në NATO, nuk vendos Rusia”

25.03.2019 - 15:35

Gjatë një vizite në Gjeorgji, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përsëri tha se vendi do t’i bashkohej aleancës ushtarake perëndimore, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të Kremlinit.

Stoltenberg ishte në Tbilisi më 25 mars për të mbajtur takime me zyrtarë gjeorgjianë dhe për të marrë pjesë në ushtrimet ushtarake të përbashkëta NATO-Gjeorgji.

Duke folur së bashku me Kryeministrin Mamuka Bakhtadze, ai tha se 29 vendet anëtare të NATO-s kishin deklaruar qartë se Gjeorgjia do të bëhet anëtare e NATO-s.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për t’u përgatitur për anëtarësimin e Gjeorgjisë në NATO”, tha Stoltenberg, duke shtuar se asnjë vend nuk ka të drejtë të ndikojë në politikën e NATO-s për dyer të hapura.

“Ne nuk po pranojmë që Rusia apo ndonjë fuqi tjetër mund të vendosë se çfarë mund të bëjnë anëtarët,” tha ai. Bakhtadze tha se “anëtarësimi në NATO është zgjedhja e popullit gjeorgjian”.

Në një samit të vitit 2008 në Bukuresht, NATO ra dakord që Gjeorgjia përfundimisht do të bëhet anëtare, por nuk është caktuar një datë fikse, edhe pse perspektiva e anëtarësimit për vendin është rikonfirmuar në çdo takim që nga ajo kohë.

Vendi prej rreth 3.7 milion njerëz pati një luftë të shkurtër me Rusinë në gusht të vitit 2008 dhe prania ushtarake e vazhdueshme e Moskës në territorin e vendit shton tensionet në rajon.

Në Tbilisi, Stoltenberg bisedoi me presidentin gjeorgjian Salome Zurabishvili, të cilin ai e përgëzoi për angazhimin e Gjeorgjisë lidhur me reformat.

Shefi i NATO-s gjithashtu përsëriti mbështetjen e aleatëve për integritetin territorial dhe sovranitetin e Gjeorgjisë.

Të mbajtur në Qendrën Kombëtare të Trajnimit në Krtsanisi afër Tbilisit, ushtrimet ushtarake të përbashkëta 12-ditore përfshijnë rreth 350 persona nga 24 shtete anëtare të NATO-s dhe vende partnere.

Stërvitjet, të quajtura Ushtrimi NATO-Gjeorgji 2019, do të zgjasin deri më 29 mars.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Cila është "shënjestra" e radhës?

Putin nuk do të ‘ngatërrohet’ më me NATO-n

Ursula von der Leyen/ New York Times

Asnjë aleancë nuk mund ta zëvendësojë NATO-n…

Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës