Një nga rikthimet në Kombëtare është ai i Eros Grezdës, që ka qenë me problem dëmtime. Ai është rikthyer në fushë fundjavën e kaluar, me Rangers, pasi qëndroi disa kohë larg skuadrës së tij, si pasojë e dëmtimit serioz.
Ky rikthim përkon edhe me dy kualifikueset e këtij muaji, ndaj Turqisë në Shkodër, më 22 mars, dhe transfertën me Andorrën, më 25 mars.
Dëshira për të kontribuar është e madhe, ndërsa gjendja fizike dhe mundësitë për ta bërë këtë do të testohen në këto ditë grumbullimi.
Trajneri Panucci do të vendosë në fund, luan apo jo. Vetë 22-vjeçari, në konferencë për shtyp të ditës së sotme, nga rezidenca kuqezi në Durrës, thotë se është gati. Ndër të tjera, ai ka nënvizuar:
A pres të luaj? “Pata një periudhë shumë të vështirë, dy muaj pa aktivitet sportiv. Pësova një lëndim të keq. U ktheva dhe luajta ndeshjen time të parë fundjavën e kaluar.
Kam punuar shumë gjatë riaftësimit dhe ndihem në formë mjaft të mirë. Do të bëj maksimumin. Kemi futbollistë kualitativë, që kanë luajtur me klubet e tyre. Trajneri do të bëjë përzgjedhjen e formacionit.
Roli im ideal? Jam gati të luaj në të gjitha pozicionet, që trajneri ka nevojë. Me rëndësi është të luaj në krah, në të majtë apo në të djathtë nuk ka problem.
Jam shumë i lumtur që Sadiku është kthyer në kombëtare. Mungesa e tij është ndier shumë. Merremi vesh shumë mirë me të në lojë, shpresoj që kjo të ndikojë në marrjen e rezultateve pozitive.
Objektivi? Jemi shumë të motivuar dhe me të vërtetë duam t’i fitojmë këto dy ndeshje. Pastaj, le të flasim më konkretisht për objektivat e krej fushatës eliminatore.
Nëse mendojmë që të kualifikohemi, duhet të marrim 6 pikë. Ndaj Turqisë luajmë në shtëpi dhe kemi mbështetjen e madhe të tifozëve, ndërsa Andorra është rival më i lehtë se ne në letër.
Gerard dhe Panucci? Unë e pëlqej punën me të dy. Panucci më ka dhënë më shumë hapësira, ndërsa konkurrenca është më e madhe te Rangers. Të dy janë trajnerë profesionistë dhe e bëjnë punën e tyre mjaft mirë.
Premtim për tifozët? Në të kaluarën, kur shkuam në Europian, i bëmë shqiptarët krenarë. Edhe tani presim të kemi një sukses të tillë. Jemi shumë të motivuar, kemi një grup shumë të mirë, lojtarët po luajnë në klubet e tyre.
Forma ime sportive? Në momentin kur u lëndova, pasi bëra ekzaminimet mjekësore, dëmtimi rezultoi serioz. Gjëja e parë që më shkoi në mendje atë moment ishte që të mos humbja Kombëtaren.
Kam punuar shumë me ekipin këto kohë, madje edhe me trajner privat. Tani jam në formë optimale, gati të luaj. Sidoqoftë, të presim e të shohim si do të shkojnë gjërat”.