MENU
klinika

Eliminatoret "Euro 2020"

Italia dhe Spanja e nisin me fitore

23.03.2019 - 22:42

Pas Anglisë një natë më parë, edhe Italia me Spanjën e kanë nisur me fitore fushatën eliminatore “Euro 2020”. Italia mposhti 2-0 në shtëpi Finlandën, ndërsa Spanja fitoi 2-1 me Norvegjinë në Valencia.

Italia nuk ka humbur asnjë nga 48 takimet e luajtur në shekullin e 21-të (duke përjashtuar miqësoret): 37 fitore, 11 barazime.

Edhe pse italianët kanë dominuar ndeshjen, rastet e krijuara nuk ka qenë të shumta. Edhe goli që ka zhbllokuar ndeshjen ka ardhur falë një devijimi të mbrojtjes mike pas gjuajtjes së Nicolo Barella-s në minutën e 7-të.

Goli i sigurisë ka ardhur në minutën e 74-t dhe është realizuar nga ylli i Juventus-it, Moise Kean, i cili është bërë lojtari i dytë më i ri (19 vjeç e 23 ditë) që shënon gol për “Axurrët” pas Bruno Nicole në 1958-ën.

Italia kryeson renditjen e Grupit J me pikë të barabarta me Bosnje Hercegovinën, që ka mundur 2-1 në shtëpi Armeninë, dhe Greqinë, që ka fituar 2-0 ndaj Lihtenshtejnit në transfertë.

Ndërsa Spanja kaloi në avantazh falë Rodrigos, që shënoi në minutën e 16’ të ndeshjes pas pasimit të Jordi Alba-s nga e majta. Megjithatë, miqtë luajtën pa frikë dhe kanë vrapuar shumë për të kompensuar sado pak kualitetin teknik që zotërojnë spanjollët. 

Mundësitë për norvegjezët ishin të shumta, por ata kanë shpërdoruar, sidomos me rastin e Elyounoussi, i cili bën gafën e vitit duke humbur me portën e boshatisur.

Gjithsesi, në minutën e 65’ ylli i Bournemouth Josh King ka barazuar rezultatin përkohësisht nga pika e bardhë e penalltisë. Barazimi ka zgjatur vetëm gjashtë minuta, pasi Sergio Ramos riktheu avantazhin për La Roja, edhe ai me penallti.

Në ndeshjet e tjera të Grupit F, Suedia ka mposhtur 2-1 Rumaninë duke u ngjitur në krye të renditjes bashkë me Spanjën. Edhe Malta ka fituar 2-1 ndaj Ishujve Faroe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN