MENU
klinika

Projekti "Brezi dhe Rruga"

Italia do të mbështesë projektin e Kinës

06.03.2019 - 12:01

Italia mund të jetë gati të mbështesë zyrtarisht Iniciativën “Brezi dhe Rruga” të Kinës, duke u bërë ekonomia më e madhe që mbështet projektin masiv të infrastrukturës globale.

Sipas raporteve të shumta, qeveria italiane mund të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi brenda disa javësh, me shpresën e investimeve kineze në ekonominë e saj në vështirësi.

Nëse nënshkruan marrëveshjen me Pekinin, Italia do të jetë anëtari i parë i grupit G7, që do të mbështesin zyrtarisht iniciativën, me SHBA, Japoninë dhe Britaninë e Madhe, që ngurrojnë.

Michele Geraci, një zyrtar në ministrinë e zhvillimit ekonomik të Italisë, i tha Financial Times se marrëveshja mund të bëhet gjatë vizitës së Xi në Itali në mars. Mediat italiane raportuan gjithashtu mbi planin.

“Ne duam të sigurohemi që produktet Made in Italy mund të kenë më shumë sukses për sa i përket eksportit në Kinë, që është tregu me rritje më të shpejtë në botë”, tha Geraci.

Kreu kinez pritet të vizitojë Italinë në fund të këtij muaji përpara se të shkojë në Francë dhe në SHBA, ku do të takohet me Presidentin Donald Trump pasi të dy vendet do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje mbi tarifat.

Iniciativa e Brezit dhe Rrugës është një projekt i madh tregtar dhe infrastrukturor që synon të lidhë Kinën me Europën, Afrikën dhe Azinë, nëpërmjet një sërë portesh të reja të financuara nga Pekini, hekurudha dhe rrugë.

Vendi fqinj India ka hezituar të nënshkruajë iniciativën, por disa partnerë rajonalë si Pakistani dhe Malajzia janë bashkuar me entuziazëm, së bashku me dhjetra vende të tjera.

Por kritikët, sidomos qeveria amerikane, kanë argumentuar se projektet do të imponojnë borxhe masive në vendet në zhvillim me përfitime të vogla ekonomike. Ka edhe pretedime se Kina po e përdor projektin për të zgjeruar shtrirjen e saj ushtarake dhe politike jashtë shtetit.

Njoftimi i pjesëmarrjes së Italisë do të ishte një lajm i mirëpritur për Pekinin në një kohë kur edhe disa vende anëtare të nismës “Brezi dhe Rruga”, si Malajzia, kanë filluar të vënë në dyshim përfitimet e projekteve të saj.

Vendimi i Italisë gjithashtu do të përkonte me një debat në Evropë lidhur me rolin që kompania kineze e teknologjisë Huawei duhet të luajë në rrjetet e reja 5G.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN