Do të ishte pikërisht si sot 22 vjet më parë, më 1997-ën, kur vizatimi me laps i Pikasos “Tete de femme”, u vodh nga një galeri arti në Londër, për t’u gjetur pak ditë më vonë.
Vizatimi, i vlerësuar 275 mijë dollarë, sipas dëshmitarëve okularë u rrëmbye nga galeria Weinstein, nga një dikush që mbante syze të errëta.
Personi që u filmua nga kamerat e sigurisë, ishte larguar me një taksi. Dy ditë më pas, një i dyshuar, 30-vjeçari Mark Lugo, u arrestua në një hotel në Napa në Kaliforni; atij iu gjet në zotërim edhe vizatimi “Tete de Femme” (Kokë Femre), që Pablo Pikaso e kishte krijuar në vitin 1965.
Pikaso ishte piktor, projektues grafik dhe skulptor spanjoll. Konsiderohet si një nga artistët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ka punuar më shumë se 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika. Bashkë me Georges Braque Pikaso është themelues i rrymës së kubizmit në pikturë.
Duke refuzuar të kthehet në Spanjë gjatë regjimit të Frankos, ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Francë. Veprat e tij më të shquara janë “Zonjushat e Avinjonit” dhe “Guernika”.
Shpeshherë punët e Pikasos kategorizohen në periudha, emrat e të cilave janë bërë edhe objekt debatesh. Periudhat më të pranueshme janë: periudha blu 1901-1904, periudha rozë 1905-1907, periudha e influencës afrikane 1908-1909, periudha e kubizmit analitik 1909-1912 dhe e kubizmit sintetik 1912-1919.
Ndoshta pak e dinë që emri i vërtetë i piktorit është Pablo, Diego, José, Francisco de Paula, Juan Nepomuceno, Maria de los Remedios, and Cipriano de la Santísima Trinidad. Pasi studioi për arte në Madrid, artisti bëri udhëtimin e parë në Paris, në vitin 1900, në kryeqendrën e artit botëror.