MENU
klinika

Largimi nga Shkodra

Lika drejt SHBA, Vllaznia pranon dorëheqjen

19.03.2019 - 15:24

Pas shkarkimit të Armando Cungut nga Kukësit, sot ka pasur një tjetër largim nga trajnerët e njohur në futbollin shqiptar. Klubi i Vllaznisë ka mbetur aktualisht pa trajner.

Hasan Lika, i cili drejtoi deri në këto momente ekipin, që thuajse është ngjitur në Superiore, ka vendosur të largohet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të vazhduar jetesën.

Ka qenë vetë klubi shkodran që, nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka lajmëruar tërheqjen e Likës, ndërsa mes palëve gjithçka është mbyllur me marrëveshje, me klubin që nuk e ka penguar trajnerin në planet e tij të jetës.

NJOFTIMI I KF VLLAZNIA

“KF Vllaznia bën të ditur se që nga dita e sotme Hasan Lika nuk do të jetë më trajner i ekipit të parë. Me kërkesën e vetë trajnerit, kontrata dypalëshe është ndërprerë për arsye se z.Lika bashkë me familjen e tij pas pak ditësh do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të jetuar atje tashmë.

Në këtë mënyrë, KF Vllaznia, duke parë ecurinë e mirë të skuadrës, e cila ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt arritjes së objektivit, vendosi që të mos e pengojë për të ardhmen e tij.

KF Vllaznia e falenderon z.Lika për kontributin e tij në krye të skuadrës gjatë kësaj periudhe, duke marrë parasysh momentin e vështirë kur e mori drejtimin e saj, megjithatë, falë punës së tij dhe të futbollistëve, ekipi tashmë është shumë pranë arritjes së objektivit, daljes në Superligë.

Brenda një periudhë shumë të shkurtër, KF Vllaznia do të bëjë publik edhe emrin e trajnerit të ri që do të angazhohet për drejtimin e skuadrës së parë deri në fund të sezonit”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN