Forma jo e mirë e Kroacisë po vijon edhe në eliminatoret e “Euro 2020”. Pasi fituan me vuajtje ndaj Azerbajxhanit, nënkampionët e botës janë përmbysur 2-1 në Hungari.
Ishin kroatët ata që kaluan të parët në avantazh me golin e Ante Rebic në fillim të sfidës. Szalai barazoi rezultatin pak përpara pjesës së parë.
Pas pushimit, ishte Patkai ai që shënoi golin vendimtar, duke u dhënë tri pikë të arta vendasve. Grupi E pritet të jetë tepër delikat dhe i hapur deri në fund, pasi aty ndodhen edhe Uellsi dhe Sllovakia që do të konkurrojnë për kualifikimin.
Izraeli ka fituar bindshëm ndaj Austrisë me rezultatin 4-2 në Sammy Ofer Stadium të Haifës. Vendasit kanë dominuar sfidën ndaj austriakëve dhe po të mos ishte për Arnautovic me dy golat e tij, rezultati do të ishte akoma më i thellë.
Ka shkëlqyer Zahavi për izraelitët, i cili e ka mbyllur ndeshjen me një tripletë. Me këtë fitore, Izraeli ngjitet në krye të Grupit G me katër pikë nga dy ndeshje.
San Marino ka pësuar humbjen e dytë radhazi në kualifikuese teksa është mposhtur 2-0 ndaj skocezëve, të cilët janë rikthyer te fitorja pas disfatës befasuese ndaj Kazakistanit disa ditë më parë.