MENU
klinika

Ylli argjentinas

Një dekadë mbi 40 gola, ky është Messi!

31.03.2019 - 12:36

Mbrëmë ka realizuar përsëri, madje dy gola, për më tepër në derbi. Ata që nuk e duan, kujtojnë vetëm dështimet me Argjentinën, por Lionel Messi u mbyll gojën me rekordet e njëpasnjëshme.

Messi e ka kaluar shifrën e 40 golave brenda një sezoni për vitin e dhjetë radhazi, që tregon për dominimin e tij të madh në dekadën e fundit.

Ai shënoi dy gola kundër Espanyolit, përfshirë një goditje të lirë në stilin “panenka”, duke e çuar në 31 numrin e përgjithshëm të golave në La Liga dhe 41 në të gjitha garat këtë sezon për Barcelonën.

Për më tepër, superylli argjentinas i ka regjistruar 21 asiste këtë sezon. Ky është sezoni i dhjetë më radhë që pesë herë fituesi i Topit të Artë e arrin shifrën e 40 golave, një arritje e jashtëzakonshme nga 10-shi i Barçës.

Ai i shënoi 47 gola në sezonin 2009/10, 53 në sezonin pasues dhe pastaj e përjetoi sezonin më të mirë individual në histori të futbollit, kur realizoi 73 gola në edicionin 2011/12. E pabesueshme!

Messi e ka barazuar këtë sezon numrin e golave të realizuara në edicionet 2013/14 dhe 2015/16, dhe sipas të gjitha gjasave, do ta kalojë atë të sezonit të kaluar.

Përveç kësaj, shumë shpejt 31-vjeçari do të jetë futbollisti më me së shumti fitore në histori të La Ligës, pasi i duhet vetëm edhe një e tillë për t’i arritur 335 dhe të kalojë Iker Casillasin dhe Andoni Zubizarretan.