Mund të kesh qenë futbollist shumë i mirë, por të përfshihesh në trafik kokaine, nuk të shpëton nga burgu. Ish-futbollisti kolumbian John Viafara është arrestuar ditën e djeshme si i dyshuar për trafik droge.
40-vjeçari, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Southampton dhe Portsmouth në Angli, si dhe Real Sociedad në La Liga, u prangos në qytetin kolumbian të Kalit, pas një operacioni të DEA-s amerikane me policinë lokale.
Sipas informacioneve të para, rezulton se Viafara, i cili ka luajtur 34 ndeshje me përfaqësuesen e Kolumbisë, akuzohet se ishte pjesë e një rrjeti narkotrafikantësh që dërgonte kokainë në SHBA.
Pikërisht amerikanët kishin qenë ata që kishin ndjekur të gjithë operacionin, duke sinjalizuar edhe policinë kolumbiane mbi vendndodhjen e ish-lojtarit.
Viafara u bë i famshëm gjatë periudhës së tij te Once Kaldas, me të cilën në vitin 2004 fitoi edhe Kupën Libertadores, duke shënuar në finalen e fituar përballë Boca Juniors.
Ai është një nga ish-futbollistët e shumtë të cilët kanë vazhduar një karrierë prej “narcos”, duke shfrytëzuar lidhjet që kishin krijuar gjatë karrierës apo famën për të shpërndarë substanca të palejuara.
Gjatë viteve të fundit, ish-mesfushori ishte bërë protagonist edhe i incidenteve të ndryshme, si ai kur e kishin grabitur, pasi e kishin gjuajtur me armë zjarri makinën e tij në Medellin, apo pasi përplasi makinën në gjendje të dehur në Kali.
Viafara dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal, që ka transportuar 4 ton kokainë në SHBA. Kolumbiani dyshohet të jetë anëtar i një karteli lokal të drogës.