Humbja me Turqinë dje në mbrëmje i ka kushtuar vendin e punës trajnerit Christian Panucci, i cili duket se është shkarkuar që pas mesnate, pas një takimi me Dukën.
Tekniku italian është larguar që në mëngjes nga Shqipëria, sepse e ka ditur tashmë vendimin e Dukës. Ndërsa FSHF zyrtarizoi shkarkimin rreth orës 10:00 të ditës së sotme.
Në një intervistë për “Top Channel”, Panucci flet edhe për bisedën me Dukën. “Ishte vendim i presidentit dhe e pranoj. Ka qenë eksperiencë fantastike dhe falënderoj të gjithë Shqipërinë.
Punova në qetësi të plotë falë Dukës, por në fund rezultatet nuk ishin të mira dhe presidenti vendosi të më largojë. Ishte e rëndësishme të isha trajner i një kombëtareje, për këtë arsye u them të gjithë një ‘faleminderit’”, – komentoi Panucci.
“Ka gjithmonë një fajtor dhe në këtë rast jam unë përgjegjësi. Njerëzit kur humbet Shqipëria vuajnë, në fakt edhe unë. Kam shumë respet për shqiptarët.
I kam falenderuar sot në mëngjes lojtarët për gjithçka që më kanë dhënë deri në momentin e fundit. Uroj të bëjnë gjëra të mira, do të jenë gjithmonë në zemrën time” – shtoi tekniku.
Në fund ka pasur vend edhe për pyetjen se ‘a ka shanse Shqipëria të bëjë më mirë?’, Panuçi i është përgjgiur: “E uroj këtë. Shpresoj të jetë vendim i drejtë, por vetëm koha do ta tregojë”.