Menjëherë pas shkarkimit të trajnerit Christian Panucci kanë filluar edhe emrat e parë të lakohen për të zëvendësuar atë në krye të Kombëtares shqiptare.
FSHF njoftoi se në ndeshjen e ditës së hënë ndaj Andorrës në transfertë do të jetë Ervin Bulku në stol si trajner i parë, ndërsa do të ndihmohet edhe nga Sulejman Mema, që kanë qenë pjesë e stafit.
Pra, trajneri i ri nuk është emergjent, por gjithsesi, kanë nisur lëvizjet e para. Dhe një nga këto emra është ai i Giani De Biasit, që drejtoi Shqipërinë për vite e gjysmë.
De Biasi kualifikoi Shqipërinë për herë të parë në një Europian dhe ai gëzon respekt jo vetëm në FSHF dhe në Kombëtare, por edhe në mbarë opinionin futbolldashës e më gjerë.
Pra arsyeja kryesore që De Biasi mund të rikthehet është njohja e ambientit, e lojtarëve. Një tjetër arsye është edhe marrëdhëniet e mira me futbollistët dhe me presidentin Duka, me të cilin është ndarë si mik.
Ndërsa arsyeja kryesore sportive është mbrojtja dhe loja që bënte De Biasi krahasuar me Panuccin. Kohët e fundit ekipi kombëtar pësonte shumë dhe shënonte pak.
Ndërsa me De Biasin kuqezinjtë mbronin shumë mirë dhe arrinin të nxirrnin gol që rezultonte deciziv. Edhe sa i përket grupit, De Biasi bënte pak lëvizje, ose kur ishte i detyruar nga dëmtimet apo pezullimet.
Panucci për cdo ndeshje ka surprizuar me formacionin, deri diku edhe duke eksperimentuar, gjë që solli edhe rezultatet negative në Ligën e Kombeve dhe mbrëmë me Turqinë.
Mjafton të kujtojmë se sa me fanatizëm mbrohej De Biasi. Përmendim barazimin 0-0 ndaj Danimarkës në transfertë apo 3 ndeshjet në Europian, ku Franca fitoi vetëm në fund, ndërsa Zvicra nuk shënoi më kur ishim me 10 lojtarë.
Edhe ana financiare nuk është problem për De Biasin. Panucci vërtet mund të ketë marrë më pak krahasuar me vitin e fundit të De Biasit, por nuk ka pasur një kontratë marramendëse në krye të Shqipërisë.
Giani De Biasi deklaroi dje që vetëm një projekt serioz mund të bënte që ai të merrte drejtimin e një skuadre. Dhe duke llogaritur 3 pikët me Andorrën në grup, mund të quhej një restart për atë në ndeshjet e qershorit.
Nëse do t’i besohej sërish drejtimi i Kombëtares, De Biasi do ta niste me Islandën në transfertë më 8 qershor, një kundërshtar që ai e njeh mirë, pasi është ndeshur me të dhe do të ishte moment për revansh.
Ndërsa më 11 qershor, Shqipëria pret Moldavinë dhe sipas FSHF-së, mund të inagurohej edhe stadiumi “Arena Kombëtare”. De Biasin mund ta quajmë një kandidat, por me siguri diskutimet do të nisin pas ndeshjes me Andorrën.