MENU
klinika

Serie A, Java 26

Spektakël në “San Paolo”, Juve “vret” kampionatin

03.03.2019 - 22:31

Gola, kartonë të kuq e të verdhë, penallti e humbur, raste pafund e plot episode të tjera i kishte ndeshja mes Napolit dhe Juventusit, e përfunduar 1-2.

Kampionët në fuqi shkëputen me 16 pikë në krye të renditjes, duke “vrarë” kampionatin 12 javë nga fundi. Juventusin quajeni sërish kampion të Italisë.

Elseid Hysaj ka luajtur titullar për 90 minuta, por jo krejt pa faj në golin e dytë të miqve. Napoli e nisi shumë mirë ndeshjen duke luajtur me një ritëm të lartë, por gabimi i portierit Meret në minutën e 25’ penalizon vendësit në momentin më të mirë.

Lojtarët e Napolit gabojnë në ndërtimin e aksionit duke i dhuruar topin Cristiano Ronaldo-s, i cili pengohet nga Meret që del me karton të kuq.

Goditja e dënimit shndërrohet me gol nga Miralem Pjanic tri minuta më pas. Boshnjaku ka lëshuar një goditje të përsosur duke kaluar të tijtë në avantazh.

Në minutën e 39’ Emre Can dyfishon rezultatin dhe dukej sikur ndeshja kishte mbaruar që në pjesën e parë. Megjithatë Napoli nuk u dorëzua dhe i kuqi i Pjanic në fillim të pjesës së dytë rihapi lojën.

Napoli ngushtoi diferencën në minutën e 61’ dhe mund të kishte barazuar me penalltinë e akorduar në të 83-ën, por Insigne goditi shtyllën nga pika e bardhë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN