MENU
klinika

Karikatura në GUINESS

Tirana priti Stefan Popa Popa’s

26.03.2019 - 13:25

Pasditja e datës 18 mars 2019, mblodhi në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë adhuruesit e karikaturës. Publiku në Shqipëri e njeh pak ose aspak këtë dimension të artit dhe aq më tepër, nuk ndodh të takohet shpesh me personalitete të kësaj fushe të njohura dhe ndërkombëtarisht. Ndaj edhe kjo pasdite kishte një ngarkesë edhe kurioziteti për një shumicë të të pranishmëve të interesuar.  Shkak për këtë aktivitet u bë vizita një- ditore në Shqipëri e artistit të  njohur rumun, Ștefan Popa Popa’s.  Ai njihet si karikaturisti më i shpejtë në botë ose si ‘mbreti i karikaturave” dhe është mbajtësi i rekordit në Librin Gines (Guiness Book) për shpejtësinë prej 131 vizatime në një orë.

Duke nisur prej orës 17.00 të së hënës së 18 marsit, vizitorë të shumtë,  diplomatë, përfaqësi nga trupat diplomatikë apo nga institucione të larta në Tiranë, si dhe qytetarë të  ndryshëm u kthyen në dëshmi të vizatimeve  dhe të  shpejtësisë befasuese të realizimit të tyre nga artisti i njohur. Hyrja në këtë aktivitet ishte e e lirë dhe pjesëmarrësit patën mundësinë të merrnin edhe një vizatim të realizuar aty për aty mjeshtri rumun. Ndërsa prisnin në radhën e gjatë për të marrë portretin, të pranishmit vizituan edhe ekspozitën në mjediset e Muzeut me vizatimet e mjeshtrit që nuk përjashtonin as figurat e larta të politikës shqiptare si Presidentin Meta, apo Kryeministrin Rama, të cilët, iu bashkuan virtualisht edhe koleksionit të vizatimeve që autori ka bërë për të njerëz të famshëm, si: Ban Ki-Moon, Tom Jones, Angela Merkel, George Bush, Nadia Comăneci, Barack Obama, Bill Clinton etj.

Kjo pasdite dhuratë e këndshme për Tiranën u mundësua në kuadër të një aktiviteti të organizuar nga Ambasada e Rumanisë, me rastin e Presidencës rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian. Artisti  Ștefan Popa Popa’s u shpreh mjaft i befasuar nga zhvillimet në Shqipëri dhe i suprizuar pozitivisht për ecurinë e vendit.  Ambasadori i Rumanisë në vendin tonë SH.T.Mircea Perpelea, u shpreh entuziast për këtë takim miqësor dhe të dobishëm që i shtohet edhe kalendarit të aktiviteteve që Ambasada e Rumanisë në vendin tonë po mban me rastin e Presidencës rumune të Këshillit të Bashkimit Evropian. Ky kalendar ka nisur që me aktivitetin përurues të marrjes së Presidencës në 22 janarin e  këtij viti në “Shtëpinë e Evropës” në Tiranë e po vijon në qytete të ndryshme të vendit.

Duke u ndalur tek figura e artistit rumun, Ștefan Popa Popa’s ka lindur në Rumani në vitin 1955.  Që në moshën 5-vjeçare ai nisi të shfaqë pasionin  për vizatimin. Ishte vetçm 7 vjeç, kur vizatimi i tij u botua në një nga gazetat lokale. Në moshën 14-vjeçare vizatimet e tij  u botuan në të vetmen revistë humori që dilte në kohën e regjimit të Çausheskut dhe ishte kjo pikërisht koha kur ai nisi të merrte pjesë në forumet kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

I diplomuar në Institutin Politeknik të Timishoarës, në vitin 1980 ai  u bë edhe karikaturisti zyrtar i Festivalit Confolens në Francë, vend që e ndikoi mjaft në njohjen e universit të karikaturave. Theksojmë se në vitin 2021, qyteti rumun i Timishoarës do të jetë Kryeqyteti Kulturor i Evropës dhe pritet të shndërrohet në qendër turistësh, të  njerëzve nga bota e biznesit, artistëve dhe diplomatëve etj.

Në vitin 1990, Ștefan Popa Popa’s  fiton një bursë nga UNESCO dhe boton edhe të parin album me grafika satirike. Në një tjetër festival prestigjoz, si Saint-Esteve në Francë ai theu rekordin për rezistencën në vizatim – për 10 ditë dhe 10 net, ai vizatoi 1572 portrete me ngjyra.

Në  17 tetor 1995, ai theu rekordin për shpejtësinë, rekord që e mbante belgu Emile Robin, me 106 portrete në orë.  Me 131 portete të vizuara në një orë, Ștefan Popa Popa’s u deklarua si rekordmeni i ri dhe  u njoh në librin e rekordeve. Ishte pikërisht ky festivali ku ai theu edhe rekordin e mbajtur prej tij, prej 2772 vizatime me ngjyra në 10 ditë dhe 10 net.

 

Ștefan Popa Popa’s është qytetar nderi i 26 qyteteve në botë, mbajtës i shumë e shumë trofeve dhe i nderuar dhe i respektuar në sallonet më të rëndësishme në botë. Ardhja e tij në Tiranë, ndoshta do të ketë ndezur edhe ndonjë shkëndijë për të apasionuarit e karikaturës dhe pse jo, edhe për të njohur e takuar edhe të tjerë personalitete nga kjo botë interesante, frymëzuar nga një artist i madh.

 

 

Nga: Entela Binjaku