Kur pritej që Chelsea të afrohej me zonën Champions, ka ndodhur e kundërta. “Blutë e Londrës” kanë barazuar 1-1 në shtëpi me Wolves dhe tashmë trajneri Sarri rrezikon seriozisht vendin e punës.
Kanë qenë miqtë ata që kanë shënuar me Jimenez, duke kapur në befasi mbrojtjen vendase me një kundërsulm të shpejtë. Wolves ka shënuar me gjuajtjen e parë të bërë në kuadratin e portës.
Ekipi i Maurizio Sarri-t, që ka grumbulluar 57 pikë pas 29 javëve kampionat, ka shpërdoruar një rast të artë për t’u ngjitur në vendin e katërt dhe për të shkuar vetëm dy pikë larg vendit të tretë që mbahet nga Tottenham, i mundur dje në fushën e Southampton.
Kur mendohej se londinezët do të largoheshin nga “Stamford Bridge” pa pikë, ka ardhur një magji e Eden Hazard në minutën e 92-të që ka fiksuar shifrat në 1-1. 13 gola për belgun në këtë kampionat.