Federata Shqiptare e Futbollit duket se ka vendosur përfundimisht se cili do të jetë trajneri i ri i i Kombëtares.
Edy Reja është përzgjedhuri i drejtuesve të FSHF për të drejtuar skuadrën kuqezi në kualifikueset për Europianin e vitit 2020.
Italiani pritet të pasojë bashkëkombësin e tij, Christian Panucci, i cili u shkarkua pas humbjes që Shqipëria pësoi me Turqinë më 22 mars.
Emërimi i Edy Rejas në stolin e kombëtares u jep fund dhe dilemave të FSHF-së. Që nga shkarkimi i Panuccit, një sërë emrash janë përmendur si kandidatë për kombëtaren, ndërkohë që ditët e fundit përflitej për një balotazh mes Guidolin dhe Rejas.
Presidenti Duka ia ka paraqitur kandidaturën e italianit Komitetit Ekzekutiv, që gjithashtu aprovoi sugjerimin e kreut të Federatës. Reja është një emër i njohur në futbollin italian. I lindur në vitin 1945, trajneri 73-vjeçar ka drejtuar një sërë skuadrash në Serie A, por edhe në Kroaci. Periudhën më të gjatë të qëndrimit në pankinë, Reja e ka kaluar pikërisht te Napoli në vitet 2005-2009, teksa i ndihmoi Napoletanët të ngjitet nga Serie C1 në Serie A.
Pas aventurës te Napoli, Reja mori drejtimin e Hajdukut të Splitit, ku qëndroi për një sezon. Ai rinisi aventurën e tij në Serie A tek Lazio dhe më pas kaloi tek Atalanta, që ishte edhe skuadra e fundit për të në kampionatin italian.
Mësohet se Reja do të mbërrijë ditën e martë në Tiranë për të nënshkruar edhe kontratën e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit.