MENU
klinika

Ekipet kombëtare

Humbje për meshkujt U-16 dhe femrat

04.04.2019 - 21:58

Shqipëria U-16 e drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri ka filluar sot garën në UEFA Development 2019, duke u përballur me Perunë, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 1-1.

Kombëtarja e 16 vjeçarëve ka zbritur në fushën e lojës me këtë formacion: Rroku(C); Pjeshka; Frroku; Janaqi; Hajdari; Shehu; Mataj; Preka; Bocaj; Hajdaraj; Torraj.

Pjesa e parë është dominuar nga skuadra e Beqirit që ka zhvilluar një lojë shumë të mirë, duke krijuar volum loje, por janë ndëshkuar në minutën e 37-të nga Jorge Tandazo pas një gabimi në vendosje nga një goditje këndi.

Në fundin e pjesës së parë kuqezinjtë kanë humbur një rast të pastër duke shpërdoruar mundësinë e barazimit. Pjesa e dytë ka parë Shqipërinë të hedhur krejtësisht në sulm, sulme që janë konkretizuar me gol në minutën e 74-të me anë të Torraj që ka shënuar një gol të bukur.

Me këtë gol është mbyllur koha e rregullt dhe skuadrat i janë drejtuar goditjeve të penalltive siç parashikon rregullorja e aktivitetit. Nga pika e bardhë e 11 metrave amerikano-latinët janë treguar më të saktë duke fituar këtë ndeshje.

Rrugëtimi i 16 vjeçarëve në këtë kompeticion që po zhvillohet në Slloveni vazhdon ditën e shtunë, me ndeshjen që do të zhvillojnë ndaj Italisë, në orën 16:00. Turneu për kuqezinjtë do të mbyllet ditën e hënë, datë 8 Prill, me ndeshjen që do të zhvillojnë ndaj vendasve të Sllovenisë duke filluar nga ora 11:00.

Ndërsa Kombëtarja shqiptare e futbollit të femrave e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani është mundur me rezultatin 1-0 nga Bosnje Hercegovina në ndeshjen miqësore të zhvilluar sot në orën 16:00 në Qendrën e Ekipeve Kombëtare të Bosnjes, në Zenica.

Pjesa e parë përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0, me një lojë të barabartë ku secila skuadër pati nga dy raste shënimi në portat respektive por pa arritur të gjejnë rrugën e golin.

Pjesa e dytë fillon me një rast të pastër për boshnjaket që në minutën e 52-të godasin shtyllën e portës së mbrojtur nga Rexhepi. Në minutën e 56’ vajzat e Sinanit ishin pranë golit të avantazhit por portierja boshnjake bën mrekullinë duke devijuar në goditje nga këndi.

Goli i vetëm i ndeshjes vjen në minutën e 61 nga Marjija Aleksić e cila shënon nga një goditje dënimi. Shqipëria në minutën e 69-të ngelet me 10 lojtare në fushën e lojës pasi Gledona Morina ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë.

Shqipëria luajti me këtë formacion: Rexhepi, Hila, Rrahmani, Bajraktari, Maliqi, Begallo, Morina, Doçi, Gjini, Maksuti, Franja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN