Inter, pas fitores bindëse në Genoa, është ndalur në barazim 0-0 në shtëpi ndaj Atalantës. Një pikë me vlerë për bergamaskët, që barazojnë Milan e vendit të katërt.
Kjo ishte ndeshja e parë e Icardi-t në “San Siro” që prej ditëve të para të shkurtit, ndërsa Spalletti zgjodhi të aktivizonte Alberto Gagliardini-n, i cili sot ka ditëlindjen, në vend të Radja Nainggolan në një formacion 4-3-3.
Vencino dërgoi topin në rrjetë në pesë minutat e para, por goli i tij është anuluar për pozicion jashtë loje. Mesfushori kishte një tjetër mundësi të mirë, por portieri Gollini ka bërë mrekullinë.
Atalanta e merr veten me kalimin e minutave teksa Marcelo Brozovic duhet të dilte nga fusha i dëmtuar në minutën e 23’, në vend të tij është futur Nainggolan.
Edhe Icardi humbi një mundësi shumë të mirë, ndërsa për miqtë ra në sy mungesa e Duvan Zapata, i cili ka qenë shumë i rëndësishëm këtë sezon.
Ndërsa Lazio ka barazuar 2-2 ndaj Sassuolos, madje pika është marrë në minutën e 96’, kur Lulic shpëtoi lacialët nga humbja. Ky barazim komplikon shumë pozicionin e Lazios, që javës tjetër do të ndeshet me Milanin në “San Siro”.