MENU
klinika

'Armata e hekurt helene'

Ishte koha kur Greqia ‘pushtoi’ Evropën

05.04.2019 - 21:07

Greqia realizoi një nga fitoret më të mëdha në historinë e futbollit, duke mposhtur Portugalinë në finalen e Euro 2004.

Angelos Charisteas shënoi nga goditja e këndit në minutën e 57′ , pas një harkimi nga Angelis Basinas. Finalja e 4 Korrikut në vitin 2004 ishte një nga ndeshjet që çdo futbolldashës dëshiron të shikojë. Portugalia dhe Greqia ‘përplasnin brirët’ për të kompletuar rrugëtimin e gjatë të Europianit duke vendosur se cila nga kombëtaret do të kurorëzohej kampione e kontinentit të vjetër.

Prej 22 ditësh me dorën në zemër, grekët kaluan nga ‘të pashpresë’ në kampionë të kompeticionit. Skuadra që shikohej si më pak favorite, mundi dy herë Francën, Republikën Çeke dhe Portugalinë për të shkruar një nga historitë më të veçanta, në sportin më të dashur.

Scolari kishte vendosur të rreshtonte skuadrën me modulin e lojës 4-2-3-1, ku treshja e përbërë nga Figo, Deco dhe Ronaldo pas shpinës së Paluetës ishte me të vërtetë e frikshme për kundërshtarët, aq më tepër për Grekët të cilët në këtë ndeshje shikoheshin më pak favoritë për të dalë triumfues. Nga ana tjetër, helenët kërcënonin me sulmin Charisteas, Vrysas dhe Giannakoupulos.

Në pjesën e parë portugezët kërcënonin herë pas here, por ‘armata’ greke mbrohej mirë dhe portieri Nikopolidis iu përgjigj në mënyrën e duhur sulmit portugez. Kështu, 45 minutat e para u mbyll në paqe dhe me rrjeta të paprekura.

Fraksioni i dytë i lojës nisi me një tjetër frymë, aty ku në 45 minutat e mbetura do të shkruhej historia greke e futbollit. Në minutën e 56’ pasi fituan një goditje këndi, të besuarit e Rehhagel e shfrytëzuan maksimalisht.

Basinas harkoi bukur në zonë ku gjeti shokun e skuadrës, Charisteas dhe ky i fundit e ndali topin në rrjetë, duke ngritur zemrat e grekëve në ajër. Minuta e 57’ dhe rezultati shënon 1 me 0 në favor të grekëve.

Portugalia ndoshta nuk e kishte imagjinuar, por tani duhet ta riniste topin nga mesfusha, duke e parë veten në disavantazh. Ekipi i Scolarit shkoi përpara disa herë dhe iu afrua portës me Cristiano Ronaldon, Maniche apo dhe Luis Figon, por portieri grek Antonios Nikopolidis rezistoi në çdo tentativë.

Mysafirët i kishte shqetësuar forma e mirë e treguar e grekëve dhe pas avantazhit ata i ‘tërboi’ organizimi i shkëlqyer i kundërshtarëve, nga trajneri Otto Rehhagel. Kombëtarja greke u shndërua në një ‘armatë të hekurt’ deri në fundin e ndeshjes duke i rezistuar çdo tentative nga kundërshtar. Scolari dhe skuadra e tij krijuan disa shanse të çmueshme kundër një ekipi lojtarësh nga klubet jashtë nivelit të lartë të futbollit evropian.

Vërshëllima e trefishtë e arbitrit shuajti çdo shpresë të portugezëve dhe shpalli kampionë grekët. Të dyja skuadrat shpërthyen ne lot, por vetëm tëk helenët kishte lot gëzimi. Cristiano Ronaldo i ‘larë’ në lot përshkruante më së miri gjendjen e Portugezëve atë natë.

Helenët triumfuan në një kompeticion ku në vigjilje të tij shancet e tyre për të dalë kampionë konsideroheshin si 80 me 1. Kështu, mrekullia ndodhi dhe Greqia shkruajti historinë. Për katër vitet e ardhshme ata do të quheshin kampionët e Evropës. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN