Kukësi ka mposhtur Laçin me rezultatin minimal 1-0 në përballjen e javës të 28-të Superligës shqiptare.
Ndeshja u vendos nga një super gol i Vesel Limajt, i cili me një goditje potente nga 40 metra e ndali topin në rrjetë.
Ernest Gjoka debuton me fitore rikthimin e tij në skuadrën e Kukësit, me të cilën u shpall kampion në sezonin 2016-2017. Loja e fortë mes dy skuadrave dhe përplasjet e vazhdueshme në mesfushë gjatë lojës krijuan përshtypjen se sfida do të përfundonte në barazim. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërkohë që fraksioni i dytë i lojës nisi me po të njëjtin rritëm.
Në minutën e 65-të, u rikthye në fushë për Kukësin Besar Musolli, të cilit Cuculi i dorëzoi shiritin e kapitenit. Tre minuta nga përfundimi i kohës së rregullt, pas një aksioni fantastik, Vesel Limaj zhbllokoi rezultatin me një gol spektakolar.
Goli erdhi pas plot 29 pasimesh nga verilindorët, duke i kujtuar tifozëve “tiki-taka-n” e famshme të Barcelonës. Kuksianët shpërthyen në festë dhe i rikthyeri Ernest Gjoka e nisi me këmbë të mbarë eksperiencën e tij të dytë në drejtim të skuadrës.
Nga ana tjetër, Kastrioti e bëri garën për mbijetesë mjaft interesante, duke mposhtur një rival direkt për qëndrimin në Superiore.
Skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli triumfoi 1-0 ndaj Luftëtarit duke ngushtuar në 4 pikë diferencën me gjirokastritët, ndërsa Tirana, me fitoren në tavolinë ndaj Kamzës, mbetet e 8-ta me vetëm 3 pikë më shumë.