Turqia pohoi sot se mund të blejë avionë dhe sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore nga Rusia nëse Uashingtoni nuk do t’i shesë asaj sistemet e mbrotjes raketore dhe aeroplanët F-35.
Kjo ka rritur mundësinë e lidhjeve më të forta të mbrojtjes mes Moskës dhe Turqisë, një vend anëtar i NATO-s.
Planet ekzistuese të presidentit Tayyip Erdogan për të blerë sistemin rus S-400 kanë alarmuar Shtetet e Bashkuara që thonë se sistemi nuk është në përputhje me ato e NATO-s dhe se do të komprometonte sigurinë e avionëve F-35 që Turqia synon të marrë nga SHBA.
Uashingtoni i ka ofruar Ankarasë dy mundësi, duke i propozuar t’i shesë si sistemet Patriot në vend të S-400-s, por në të njëjtën kohë e ka paralajmëruar për sanksione dhe se do të ndalë shitjet e avionëve F-35, nëse Ankaraja blen sistemet ruse të mbrotjes.
Turqia nuk ka dhënë shenja tërheqjeje dhe zoti Erdogan, i cili zhvilloi bisedime me presidentin Vladimir Putin këtë javë në Moskë, u citua të ketë thënë të mërkurën se marrja e porosisë së parë për sisteme S-400 mund të ndodhë edhe më shpejt sesa muaji korrik, afati i paracaktuar.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu përsëriti gjithashtu qëndrimin e Ankarasë se blerja e S-400-s është një marrëveshje e mbyllur dhe se vendi i tij do t’i plotësohte nevojat në fushën e mbrojtjes nga vende të tjera, nëse kjo do të ishte e nevojshme.
“Nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i shesin, atëherë ne do t’i blejmë sistemet Patriot. Por nëse Shtetet e Bashkuara nuk duan, ne mund të blejmë më shumë S-400 apo sisteme të tjera. Ka sisteme ruse SU-34, SU-57 e të tjera. Do të plotësojmë absolutisht nevojat gjetkë derisa të jemi në gjendje t’i prodhojmë vetë”, tha zoti Cavusoglu për transmetuesin televiziv turk NTV.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Rusia po shihte mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ushtarak e teknik me Turqinë. “Ky është një proces absolutisht normal”, u tha ai gazetarëve.
Të martën, Senati amerikan paralajmëroi Turqinë se po rrezikon sanksione të ashpra nëse vazhdon me planet për të blerë sistemet S-400.
“Deri në fund të vitit, Turqia do të ketë ose avionë të avancuar luftarakë F-35 ose një sistem rus S-400 të mbrojtjes nga raketat, por nuk mund t’i ketë të dyja”, thanë senatorët republikanë Jim Risch dhe Jim Inhofe si dhe senatorët demokratë Bob Menendez e Jack Reed.
Mosmarrëveshjet e krijuara lidhur me blerjen e sistemeve S-400 tregojnë se sa tendosura janë marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s.