Pasi u ul zyrtarish në stolin e Kombëtares, Edoardo Reja po mendon edhe për stafin teknik.
Bashkëpuntorët e Rejas nuk janë zyrtarizuar ende, edhe pse flitet se zëvendëstrajner do të jetë Alessandro Calori.
Sipas informacioneve, risia e madhe në stafin e Rejas pritet të jetë ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare Hamdi Salihi.
Nuk ka kaluar shumë kohë që Salihi u tërhoq zyrtarisht nga futbolli duke mbyllur karrierën me Wiener Neustadt, por duket se shumë shpejt ai është gati të marrë një rol drejtues.
Nuk dihet se çfarë pozicioni do të ketë Salihi në staf, por me shumë mundësi do të merret me përgatitjen e sulmuesve kuqezinj.
Shkodrani do të jetë një vlerë e shtuar e stafit tonë duke marrë parasysh eksperiencën dhe aftësitë që transmeton. FSHF vazhdon të promovojë ish-lojtarët e kombëtares duke i ndihmuar të hedhin hapat e parë në rrugën e trajningut.
Bindjet se shkodrani do të jetë pjesë e stafit të Edy Rejas, shtohen edhe më shumë, pasi Salihi është parë në praninë e trajnerit të ri të kombëtares shqiptare të mërkurën gjatë prezantimit.