Ajaxi ka bërë surprizën e madhe në Champions League, duke eleminuar Juventusin që konsiderohej një nga favoritët për të fituar kompeticionin.
Talentet nga Amsterdami kanë mposhtur bardhezinjtë në Torino në një ndeshje spektakolare.
Pavarësisht rasteve të mira nga të dyja skuadrat, Juventus e nisi mjaft mirë pjesën e parë. Në minutën e 28’ zhbllokuan rezultatin me të përhershmin Cristiano Ronaldo pas një harkimi të bukur nga Miralem Pjanic, Ronaldo dërgoi topin në rrjetë.
Arbitri konfirmoi golin pas rishikimit në VAR duke i dhënë avantazhin ‘Zonjës së Vjetër’.
Nuk zgjati shumë festa e bardhezinjve pasi në minutën e 34, Donny van de Beek shfrytëzoi maksimalisht një rast të bukur në zonë dhe e dërgoi topin në rrjetë duke barazuar rezultatin. Edhe këtu kryesori u detyrua të rishikonte golin në VAR dhe e konsideroi të rregullt barazimin nga miqtë.
U deshën 5 minuta shtesë, por asgjë nuk ndryshoi dhe pjesa e parë u mbyll në barazim.
Pjesa e dytë foli më shumë për miqtë ku pas rasteve të njëpasnjëshme, Ajaxi gjeti avantazhin duke shënuar me kapitenin de Light në minutën e 67.
Goli i dha një goditje morale bardhezinjve dhe talentet e Ajax arritën të dominojnë ndeshjen duke shënuar në minutën e 80, por goli ishte i parregullt. Në minutën e 90, lojtarët e Juventus pretenduan për 11-metërsh por arbitri Turpin mohoi gjithçka.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 1-2 dhe të rinjtë e Ajax i dhanë një leksion Juvesn ku nuk mjaftoi as Cristiano Ronaldo.
Nuk pati histori në sfidën tjetër të mbrëmjes, atë mes Barcelonës dhe Manchester United, ku vendasit fituan pastër 3-0 dhe u kualifikuan në gjysmëfinale, me rezultatin total 4-0.
Lionel Messi ishte sërish protagonist, pasi shënoi dy gola në pjesën e parë, respektivisht në minutat 16 dhe 20, duke i dhënë qetësinë katalanasve.
Në fillim të pjesës së dytë ishte braziliani Coutinho që vulosi gjithçka, pas një asisti nga mbrojtës i majtë Jordi Alba. Ndeshja përfundoi me rezultatin e pastër 3-0 dhe Barcelona dërgon Manchester United-in në shtëpi.