Barcelona edhe njëherë tjetër ka treguar supremacinë e saj. Katalanasit fituan 2-0 në “Camp Nou”, duke prekur kështu titullin kampion.
Atletico Madrid ka rezistuar 85 minuta dhe më pas është dorëzuar para dyshes Suarez-Messi. I pari ka zhbllokuar takimin me një goditje të mrekullueshme nga jashtë zone, ndërsa argjentinasi ka realizuar të dytin (87′).
Ka shkuar dëm paraqitja heroike e madrilenëve, të cilët kanë mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Diego Costa në minutën e 28-të.
Ashtu siç kanë shkuar dëm pritjet e mrekullueshme të Jan Oblak, i cili ka përqindjen më të lartë të pritjeve për gjuajtje të pësuar në ndeshjet e La Liga-s mes portierëve të pesë kampionateve kryesore të Europës: 81%.
Kështu, Barcelona mbetet një nga tri skuadrat e vetme që Diego Simeone nuk ka arritur t’i mundë kurrë si trajner i Atletico Madrid në La Liga (15 ndeshje). Dy të tjerat janë Mallorca (3 ndeshje) dhe Racing Santander (1).