Enxhi Nini, e njohur për publikun shqiptar si violiniste dhe këngëtare, rikthehet në Tiranë, për herë të parë pas 20 vitesh. Festivali “Different Trains” do të jetë shfaqja e radhës për të, kësaj here në vendlindje. Artistja ka rrëfyer udhëtimin si violiniste, nga “La Scala” në orkestrën e “Rai”-t. Në festival ishte në shoqërinë e tre instrumentistëve të njohur, të cilët karrierën e tyre e kanë ndërtuar jashtë vendit.
Enxhi Nini, mbahet mend nga publiku me pjesëmarrjet në festivalin e fundvitit, me këngët “Ti je vetja ime”, “Lot i bardhë” apo “Një valixhe me kujtime”. Ajo rikthehet për herë të parë, si violiniste, në festivalin “Different Trains” në ArTurbina. Pas më shumë se 20 vitesh, artistja që për dhjetë vite radhazi është ngjitur në “La Scala” dhe prej vitit 2010 është pjesë e orkestrës së “Rai”-t, tregon për punën që ka bërë për të qenë pjesë e skenës italiane, si violiniste.
“Kthehem në Tiranë, pas shumë vitesh, që nga periudha që kam qenë në lice. Formimi im artistik ka filluar në Shqipëri, në tetëvjeçare edhe më pas në shkollën e mesme. Mund të them se, kjo gjë u kompletua në Itali, kur nisa edhe studimet. Në Itali, gjeta një mënyrë tjetër të interpretimit në violinë, më shumë, u perfeksionova, duke krijuar përvojat e mia në orkestër, në muzikë dhome edhe si violiniste më e kompletuar. M’u desh një punë e madhe pët t’u bërë pjesë e orkestrave të mira, si “Rai” apo “La Scala” në Milano. Pavarësisht lodhjes, ai ishte synimi im”, – shprehet Nini.
Artistja luan me një violinë antike të viteve ‘700, të ish-profesorit të saj në Romë, me shpresën që një ditë do të bëhet e saja. Ndërsa, dashuria e saj për violinën është shumë e madhe.
“Violina është jeta ime, si çdo gjë tjetër që kam afër meje, nuk mund të jetoj pa të”, – thotë ajo.
Emocionet për këtë koncert, ku u shoqërua edhe nga tre instrumentistë të tjerë, në njohur në skenat ndërkombëtare, si Arben Spahiu, Liza Soppi dhe Vlorent Xhafaj, ishin të mëdha për të gjithë artistët gjatë mbrëmjes së djeshme para publikut shqiptar.
“Është shumë më ndryshe, gjithmonë këtu vijmë plot emocione. Jemi në vendin tonë edhe kemi përpara miq, familjarë edhe mësues, që kanë shumë vite që nuk na dëgjojnë e nuk na shohin, por edhe që ndjejnë ndryshimin, si violiniste apo si muzikante”, – shprehet e emocionuar.
Festivali “Different Trains” mbyllet në datë 13 maj, në ambientet e Katedrales Ortodokse, në orën 19.00, me koncertin e dytë të Tedi Papavramit dhe François-Frédéric Guy, të cilët luajnë tri sonata nga Bethoven.