MENU
klinika

Kush do e zëvendësojë Juncker-in?

Nis ‘lufta’ për postet më të larta në BE

28.05.2019 - 16:51

Udhëheqësit e BE po shkojnë drejt Brukselit për të shqyrtuar kandidatët për punët më të rëndësishme të organizatës pas zgjedhjeve parlamentare.

Presidenca e Komisionit të BE-së, aktualisht e mbajtur nga Jean-Claude Juncker, është në mesin e posteve më të lakmuara.  Një nga kandidatët, Frans Timmermans, e krahasoi procesin me “Game of Thrones”.

Rezultatet e zgjedhjeve treguan se nacionalistët dhe të gjelbërit kanë fituar terren. Ato e lane BE-në më të fragmentuar, kështu që gjetja e konsensusit mund të jetë më e vështirë sesa në të kaluarën.

Bisedimet gjatë darkës të martën mund të mos rezultojnë në një listë kandidatësh dhe kjo ka të ngjarë të zgjasë disa muaj.

Ky tani është moment më i mirë që udhëheqësit të vlerësojnë gjendjen politike dhe të hulumtojnë kombinime të mundshme, për të siguruar një ekuilibër të qëndrueshëm të opinioneve politike, gjeografisë dhe gjinisë.

Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May do të marrë pjesë, por burimet e Brukselit thonë se do të ketë ose shumë pak ose aspak diskutime lidhur me Brexit.

Zyrtarët e tjerë të lartë të BE që do të zëvendësohen më vonë këtë vit janë: Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk (polak); Presidenti i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi (Italian) dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme Federica Mogherini (italiane).

Pas negociatave, zyrtarët e rinj do të marrin postet e tyre më 1 nëntor, me përjashtim të shefit të ri të Këshillit të Evropës, i cili fillon më 1 dhjetor.

Udhëheqësit e partive gjithashtu po takohen në Bruksel në një përpjekje për të rënë dakord mbi një kandidat të “Spitzenkandidat”, për punën e Juncker. Komisioni zbaton rregullat e BE-së dhe harton ligjet e BE-së, kështu që është posti më i lakmuar në bllokun 28-vendesh.

Manfred Weber, i Partisë Popullore Evropiane, pranon se familja e tij politike ka humbur shumë vende në zgjedhje, gjë që e dobëson kërkesën e tij për këtë detyrë.

Rivalët e Weber përfshijnë Timmermans, një kandidat i qendrës së majtë nga Holanda dhe kandidatja liberale Margrethe Vestager.