MENU
klinika

Axhenda

Pompeo në Berlin, diskutime për dialogun Kosovë-Serbi

07.05.2019 - 11:53

Ministri i Jashtëm i SHBA, Mike Pompeo do të qëndrojë sot për një vizitë të parë në Berlin. Në qendër të bisedimeve me homologun e tij gjerman, Heiko Maas si dhe me Kancelaren gjermane Angela Merkel do të jenë një sërë krizash dhe konfliktesh në botë.

Sipas agjensive  të lajmeve veçohet tematika  e konfliktit të Serbisë me Kosovën, si temë bashkëbisedimi me mikpritësit gjermanë, përveç konfliktit në Ukrainën Lindore, në Venezuelë dhe në Siri. Raporti me Kinën dhe Rusinë gjithashtu do të jetë në qendër të vëmendjes në bisedimet në Berlin.

Gjermania dhe Franca do të angazhohen në një takim të përbashkët të ri në 1 korrik në Paris për një rrugëdalje nga konflikti mes Kosovës e Serbisë. Ato e kundërshtojnë së bashku idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, si ide që do të destabilizonte të gjithë rajonin.

Takimi i Pompeos me ministrin e Jashtëm gjerman Maas pritet të zgjasë deri në orën 17, kur është parashikuar një konferencë e përbashkët shtypi.

Një deklaratë e përbashkët para mediave e ministrit të Jashtëm të SHBA Pompeo dhe Kancelares gjermane Angela Merkel është parashikuar për në orën 18.