Presidenti amerikan Donald Trump duket se po shfaq shqetësimin e tij lidhur me një rival të mundshëm që mund ta pengojë atë në rimarrjen e një mandati të dytë për Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Trump iu drejtua mbështetësve mbrëmë në shtetin e Pensilvanisë, vendlindja e kandidatit që kryeson fushatën demokrate, ish nënpresidentit Joe Biden, i cili gjithashtu ka shërbyer si Senator i shtetit Delauere.
“Mos harroni, Biden ju braktisi. Ai lindi në Pensilvani dhe u largua nga këtu. Ju la ju për një shtet tjetër. Mbani mend këtë, desha të them se ai shprehet sikur e njeh qytetin Skranton (Scranton)…thotë se i njeh vendet më mirë. Ju braktisi ju për një shtet tjetër dhe nuk u kujdes për ju sepse nuk u kujdes për punësimin tuaj. Ai la vendet e tjera të vijnë dhe të plaçkisin Amerikën.”
Trump dhe kandidati Biden e kanë vënë Pensilvaninë në qendër të përpjekjeve të tyre për të fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Biden ka thënë se nëse “populli amerikan dëshiron një president që të thellojë ndasitë tona, të udhëheqë me një grusht të fuqishëm, dorë shtrënguar dhe me zemër të ngurtë”, ata mund të votojnë për Trumpin.
Por kush është Joe Biden?
I lindur në Pensilvani më 20 nëntor 1942, Joe Biden punoi si avokat para se të futej në politikë. Ai u bë senatori i pestë më i ri në SHBA, si dhe senatori i Delaware-it.
Kur Obama u zgjodh në 2008, Biden u bë zëvendëspresidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Biden fitoi një mandat të dytë si zëvendëspresident, kur Presidenti Obama u rizgjodh në presidencë në vitin 2012. Në vitin 2017, Obama prezantoi Biden me Medaljen Presidenciale të Lirisë për shërbimin e tij në Shtetet e Bashkuara.
Si zëvendëspresident, Biden luajti një rol aktiv në administratë, duke shërbyer si një këshilltar me ndikim ndaj Obamës dhe një mbështetës i iniciativave të tij. Përveç kësaj, ai ishte ngarkuar me detyra të rëndësishme. Ai ndihmoi në shmangien e disa krizave buxhetore dhe luajti një rol kyç në formësimin e politikës amerikane në Irak.
Në vitin 2015, Biden njoftoi se ai nuk do të hynte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Në vend të kësaj, ai bëri fushatë për Hillary Clinton, e cila përfundimisht humbi zgjedhjet përballë Donald Trump.
Tani ai garon për president, duke u bërë kështu kërcënimi më i madh i Trumpit.