MENU
klinika

Rimbursimi i TVSH-së

Unioni i Fasonistëve: Janë plotësuar 74% e kërkesave

31.05.2019 - 20:13

Unioni i Fasonistëve të Shqipërisë, në të cilin janë përfshirë Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve dhe Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë, nisur nga shqetësimi i subjekteve anëtare sa i përket rimbursimit të prapambetur të TVSH, kanë kontaktuar autoritetet publike në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në Ministrinë e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, lidhur me kërkesën për të prioritizuar sektorin e Regjimit të Përpunimit Aktiv (RPA), sa i përket rimbursimit të TVSH-së.

Sikurse jeni në dijeni, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, premtoi se DPT ka vendosur të përfshijë në sektorin prioritar të rimbursimeve sektorin e fasonëve.

Për këtë kategori biznesi nuk do të zbatohej skema aktuale FIFO (First In – First ON), por do të shlyhen të gjitha detyrimet e prapambetura brenda afatit të përcaktuar.

Unioni i Fasonistëve të Shqipërisë ka kontaktuar sot me autoritetet dhe ka marrë këtë informacion, që po e bën të njohur edhe për anëtarët si dhe media-t:

“Plani i miratuar nga Ministria e Financave për Rimbursim të TVSH deri në 31 mars ishte 684 milionë lekë. Gjatë muajit prill janë rimbursuar 225 milionë lekë, ndërsa në muajin maj janë rimbursuar 284 milionë lekë, duke plotësuar kështu 74% të kërkesave të kompanive fason për rimbursim. Diferenca e mbetur prej 175 milionë lekësh do të rimbursohet gjatë muajit qershor.

Skeduli i rimbursimit të subjekteve fason, në veçanti, është organizuar në mënyrë që të garantojë transparencën maksimale mbi procesin, duke vendosur për herë të parë sistemin e lajmërimit paraprak mbi kohën në të cilën do të kryhet pagesa e miratuar në skedul.

Për këtë qëllim janë lajmëruar nëpërmjet email-it, njoftimeve të personalizuara në e-filing dhe telefonatave nga Qendra e Thirrjeve, të gjithë përfituesit. Sjellim në vëmendjen tuaj se krahasuar me vitin 2018, fondi për rimbursimin e TVSH-së është 32% më i lartë, si provë e vullnetit të fortë të Qeverisë Shqiptare në përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri”,– thuhet në përgjigjen zyrtare që MEF i ka dërguar UFSH.

UFSH kërkuar me këmbëngulje rimbursimin për këtë kategori, jo vetëm duke konsideruar impaktin e rëndësishëm që ka në ekonominë e vendit dhe në punësim, por sidomos edhe vulnerabilitetin e kompanive fason ndaj kursit të këmbimit valutor.