MENU

Konferenca

Basha: Refuzoni Ramën, braktisni 30 Qershorin!

25.06.2019 - 21:49

Në një konferencë për shtyp, kryedemokrati Lulzim Basha e krahasoi kryeministrin Rama me Ramiz Alinë, kur tha se po organizon zgjedhje farsë njësoj si ai.

Sipas tij, ndryshe nga Ramizi, Edi Ramën e pret një fat edhe më i keq.

“Kur komunzimi ra kudo në lindje, kur pluralizmi dhe liria triumfuan mbi robërinë, Ramiz Alia deshi t’u shiste shqiptarëve të etur për liri, pluralizëm fallso. U përpoq të bënte në shkurt 1991 zgjedhje gjoja pluraliste me organizatat e rinisë dhe të grave komuniste, por dështoi, sepse njerëzit nuk u mashtruan, sepse shqiptarët donin lirinë e vërtetë. Tre dekada më vonë.

Jemi kthyer në të njëjtën situatë. Shqipëria është sot e rrënuar ekonomikisht. Krimet shtetërore janë bërë të padurueshme. Demokracia ka rënë. Edi Rama po kërkon të mbajë zgjedhje farsë, gjoja demokratike për të zgjatur jetën e regjimit të tij kriminal dhe autokratik, edhe për pak.

Njësoj si më 1991, qytetarët ftohen të shkojnë në qendra votimi, të marrin një fletë votimi, në të cilën ka një emër dhe ta hedhin atë në një kuti, pa asnjë fshehtësi. Njësoj si atëherë, vota është shpallur plumb kundër armiqve të regjimit. Njësoj si atëherë, regjimi mundohet të shtypë pakënaqësinë e njerëzve. Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal enverist.

As Edi Rama nuk do ta shpëtojë dot regjimin e tij kriminal. Por fati i Edi Ramës duket se do të jetë më i keq se i Ramiz Alisë. Ramiz Alia i anulloi zgjedhjet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë zgjedhjeve pluraliste. Edi Rama ka vendosur t’i bëjë zgjedhjet e tij njëpartiake. Edi Rama nuk është as sa Ramiz Alia. Ai i anulloi votimet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë votimeve pluraliste.

Edi Rama po përpiqet të bëjë edhe gjënë e fundit që bën çdo autokrat për ta mbajtur pushtetin: zgjedhje farsë. Por ky do të jetë fundi i tij”,– tha Basha.

Basha ftoi qytetarët që të braktisin zgjedhjet e 30 qershorit.

Ai tha se ky proces është nul dhe zgjedhjet nuk do të njihen.

Kryedemokrati tha se opozita ka dy kushte të forta, që kanë të bëjnë me dënimin vjedhësve të votave dhe largimin i kryeministrit, Edi Rama.

“Mënyra më e mirë për të përshpejtuar rënien e Edi Ramës, është braktisja e tij, është braktisja e oborrit të tij të kriminelëve, të klientëve, shërbëtorëve dhe veglave të tij. Braktisini oligarkët e tij!

Braktisini mediat e tij! Braktisini shërbëtorët e tij publikë! Ngrini zërin kundër tyre! Protestoni kundër tyre! Pengojini ata! Mos besoni propagandën e Edi Ramës! Mos besoni gënjeshtrat e lakejve të tij! Mos u bëni pjesë e shfaqjeve banale, që Edi Rama prodhon me mitingjet dhe aktivitetet e tij! Refuzojeni Edi Ramën! Refuzojini biznesmenët e tij grabitqarë!

Refuzojini kriminelët që ai mban pranë! Refuzojini ata moralisht! Refuzojini shpirtërisht! Mbi të gjitha, braktiseni Edi Ramën politikisht! Unë e di se shumë njerëz të ndershëm, që punojnë në administratën publike apo që kanë biznese të vogla, apo veprimtari të tjera që kontrollohen nga inspektorët, policët apo veglat e tjera të Edi Ramës, janë nën terror për të dalë të dielën në zgjedhje. Por unë ju ftoj që t’i braktisni!

Ju ftoj që të mos dilni të mos bëheni pjesë e kësaj farse, e cila i shërben vetëm krimit dhe pushtetit personal të Edi Ramës. Këto zgjedhje janë nul. Ato nuk do të njihen. Ato nuk do të jenë. Ju ftoj t’i dënoni ato me braktisjen tuaj. Ata që ju nxisin drejt tyre, nuk kanë në zemër as interesin tuaj, as sigurinë tuaj, as të ardhmen e fëmijëve tuaj. Unë dhe opozita do të bëjmë çdo gjë që mundemi kudhër kësaj farse të paligjshme dhe kriminale! Ju ftoj edhe juve të bëni tuajën duke i braktisur. Ju siguroj se çdo gjë do të bëhet mirë.

Ju siguroj se fundi i Edi Ramës është pranë. Ju siguroj se Shqipëria ka mundësitë dhe forcën të dalë nga gremina ku ka rënë dhe të fillojë të ndërtojë një të ardhme të denjë, si cdo vend tjetër europian.Ne jemi shumica! Dhe ne jemi më të fortë se e keqja!”-tha mes tjerash Basha.