MENU
klinika

Zikaltërit 'shpërthejnë' në merkato

Contes i plotësohet dëshira/ Interi mbyll disa marrëveshje!

28.06.2019 - 21:07

Stefano Sensi është një futbollist i Interit dhe në ditët e para të javës së ardhshme, do të kryejë vizitat mjekësore dhe të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me klubin zikaltër.

Negociatat me Sassuolon ngecën mesditën e djeshme, por morën udhën e duhur në mbrëmje, kur Drejtori Sportiv i Interit Piero Ausilio dhe asistenti i tij, Dario Baccin, darkuan me Drejtorin Sportiv të Sassuolos, Giovanni Rossi.

Kështu te klubi nga Reggio Emilia do të huazohet për një vit mbrojtësi 21-vjeçar Andrew Gravillon dhe do të shitet përfundimisht Anësori 20-vjeçar Marco Sala, kartoni i të cilit është vlerësuar 5 milionë euro.

Kaq do të paguajë Interi këtë verë, për të marrë Sensin në huazim për një sezon, ndërsa verën e ardhshme klubi zikaltër do të ketë të drejtën e blerjes përfundimtare të mesfushorit 24-vjeçar, duke paguar edhe 20 milionë euro të tjera në arkat e Sassuolos.

E nëse drejtuesit e të dy skuadrave u treguan të rezervuar mbrëmjen e djeshme, ka qenë Administratori i Sassuolos, Andrea Carnevali, që ka pranuar marrëveshjen me Interin, për transferimin e mesfushorit në Milano.

“Kemi arritur marrëveshjen me Interin dhe besoj se në ditët e para të javës, Sensi do të kryejë vizitat mjekësore në klubin zikaltër. Jemi të lumtur, pasi është një mundësi që një futbollist i yni të transferohet në një klub të madh. Stefano ka shumë cilësi sportive dhe njerëzore. Nuk kam folur ende me të, por imagjinoj që duhet të jetë entuziast, pasi të luash me Interin është një atraksion më vete”, tha Carnevali.

Gjatë ditës së sotme në klubin zikaltër mbërriti edhe mesfushori 17-vjeçar francez Lucien Agoume, i cili pasi kreu vizitat mjekësore, nënshkroi edhe kontratën me Interin, pasi milanezët kishin arritur më herët akordin me klubin e Socheau.

Një tjetër operacion merkatoje që ka përfunduar me sukses ditën e sotme, ishte edhe një shkëmbim kokë më kokë mes dy futbollistëve, me klubin e Parmës. Kështu emilianët kanë marrë sulmuesin 19-vjeçar Andrea Adorante nga të rinjtë e Interit, ndërsa në këmbim, te zikaltrit ka shkuar portieri brazilian Gabriel Brazao.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN