Higuain dhe Manolas kanë disa të përbashkëta që po bëjnë të lëvizin ingranazhet e klubeve respektive për një shkëmbim të bujshëm mes tyre.
Në mënyrë që mbrojtësi grek i Romës të lërë ambientin e verdhekuqve nevojiten 36 milionë euro, që parashikohen në klauzolën e tij të largimit, paradoksalisht sa shifra që kërkojnë bardhezinjtë e Juventusit për sulmuesin argjentinas Higuan.
Në këtë mënyrë, ka lindur ideja për këtë shkëmbim që krijon jehonë mediatike e që tanimë projektohet më se i realizueshëm, duke parë interesat e klubeve respektive (do t’u leverdiste një tratativë e tillë në të gjitha drejtimet përfshi dhe atë financiar).
Bilanci i verdhekuqve të Romës duhet të arrijë shifrën e plus 45 milionë eurove brenda 30 qershorit, për të qenë korrekt me rregullat e Fair Play-t Financiar.
Klubi torinez do të gjente më në fund sistemimin e duhur për Higuain, që nuk rezultoi ndër më frytdhënësit me huazimin e tij mes Milanit dhe Chelsea.