Gjatë ditës së djeshme është mbledhur Këshilli i Sigurimit të OKB-së.
Në këtë mbledhje është debatuar për raportin tremujor të shefit të UNMIK.
Mësohet se ka pasur polemika të ashpra mes ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku dhe shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.
Daçiç ka sulmuar verbalisht dhe ka fyer ambasadoren Çitaku pas përfundimit të mbledhjes.
Kryediplomati serb, Ivica Daçiç, e ka shfrytëzuar edhe këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit për të bërë akuza e shpifje në drejtim të Kosovës, veçmas lidhur me aksionin policor në veri të Kosovës kundër zyrtarëve policorë të dyshuar për kontrabandë dhe krim të organizuar.
Akuzave të Daçiçit i është përgjigjur në mënyrë të argumentuar ambasadorja Çitaku, e cila ka kërkuar edhe largimin e misionit të OKB në Kosovë, duke thënë se ai e ka humbur kuptimin.
Mbase i nervozuar që shpifjet dhe akuzat e tij në KS të OKB nuk janë përfillur pothuaj nga askush, shefi i diplomacisë serbe, pas përfundimit të mbledhjes ka sulmuar verbalisht ambasadoren Çitaku.
Teuta Sahatçija, konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, e cila ishte e pranishme në mbledhjen e KS të OKB, ka sqaruar për Telegrafin gjithë ngjarjen.
Ajo tregoi se gjatë fjalimit të saj, ambasadorja Çitaku tha se “Kosova nuk është produkt i secesionit prej Serbisë por produkt i dekolonizimit prej saj”.
“Daçiçi nisi menjëherë me fyerje e fjalë të rënda, duke thënë se ajo [Çitaku] po gënjen dhe se nuk është e vërtetë”, tha Sahatçija.
“Kur u krye seanca ne u afruam te misionet e SHBA dhe Britanisë së Madhe për të protestuar për deklarimin e Nënsekretarit të Përgjithshëm për Çështjet Ligjore, Joao Miguel Ferreira, i cili në kërkesën tonë për ta takuar dhe diskutuar rreth Rregullores së UNMIK-ut 2000/49, na refuzoi dhe tha se nuk na takon sepse Kosova nuk është shtet. Në atë moment na u afrua Ivica Daçiç dhe nisi të fyente me fjalë banale”, tha Sahatçija.
“Ai nisi të thotë se është gënjeshtër teza e dekolonizimit dhe nisi të përdorë fjalë fyese, të rrugës”, tha Sahatçija.
Dje në Këshillin e Sigurimit, Daçiç akuzoi Kosovën se kanë sulmuar zyrtarin rus të UNMIK-ut në veri.
Çitaku nga ana tjetër tregoi se ai zyrtar rus e ka penguar policinë e Kosovës ndërsa po kryente një aksion kundër krimit të organizuar në disa komuna, përfshirë këtu edhe ato veriore.