MENU
klinika

Deklarata e Sekretarit të Shtetit

Pompeo: Të gatshëm për bisedime pa parakushte me Iranin

03.06.2019 - 10:45

Uashingtoni është i gatshëm të flasë me Iranin “pa parakushte”, tha të dielën Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, por Irani e hodhi poshtë ofertën si lojë fjalësh.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë pa parakushte. Ne jemi të gatshëm të ulemi me ta”, tha Pompeo në një konferencë të përbashkët të shtypit në Zvicër me Ministrin e Jashtëm zviceran Ignazio Cassis.

Ndërkohë, presidenti i Iranit Hassan Rouhani tha “Armiqtë ndonjëherë thonë se kanë kushte për negociata me Iranin … por në javët e fundit ata thanë se nuk kanë kushte. Ata na kërcënuan sikur të ishin një superfuqi ushtarake, por tani ata thonë se nuk kërkojnë luftë”.

Rouhani tha gjithashtu se ishte në dorën e Shteteve të Bashkuara të kthehen në tryezën e negociatave. “Pala tjetër që u largua nga tryeza negociuese dhe shkeli një traktat duhet të kthehet në gjendje normale,” tha ai në komentet e raportuara në faqen e internetit të qeverisë.

Komentet e fundit të Pompeo vijnë mes tensioneve të vazhdueshme midis Uashingtonit dhe Teheranit.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, i cili në mënyrë të njëanshme tërhoqi SHBA nga një marrëveshje e rëndësishme për të frenuar programin bërthamor të Iranit, ka shtrënguar sanksionet mbi Teheranin, duke eliminuar heqjen e detyrimeve që i kishte lejuar disa vende të blinin naftë iraniane, me qëllim uljen e eksporteve bruto të vendit.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ndodhet në Zvicër në kuadër të turneut të tij në katër vende evropiane.