MENU
klinika

Transferimi i biznesit

Tatimet publikojnë procedurat

25.06.2019 - 14:49

Në vijim të rubrikës “Tatimet Këshillojnë”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dha informacion rreth transferimit të veprimtarisë ekonomike.

Sipas DPT, referuar ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, transferimi tërësor apo i pjesshëm i veprimtarisë ekonomike nuk përbën furnizim malli ose furnizim shërbimi dhe për pasojë nuk është i tatueshëm për TVSH- në. Pjesa apo tërësia e veprimtarisë ekonomike e cila transferohet mund të vazhdojë një aktivitet ekonomik të pavarur, në kushte të ngjashme si përpara transferimit.

Nuk konsiderohen transferim i veprimtarisë ekonomike:
1) transferimet e mallrave dhe shërbimeve që realizohen në përfitim të një personi të tatueshëm që nuk synon të shfrytëzojë tërësinë e transmetuar, por thjesht likuidon aktivitetin në fjalë ose kërkon ta shesë atë;
2) transferimi i mallrave, si shitja e një stoku produktesh;
3) kalimi i aseteve ose një pjese të tyre që i përkasin një personi të tatueshëm, të destinuara prej tij për të kryer një veprimtari, veprimtari e cila në fakt nuk është ushtruar nga transferuesi.

Modalitetet e zbatimit

Marrësi i transferimit konsiderohet si pasardhësi i transferuesit dhe vazhdon të shfrytëzojë tërësinë e transferuar në një formë apo një tjetër. Megjithatë, nuk kërkohet që ai të ketë ushtruar paraprakisht të njëjtin aktivitet me transferuesin apo të vazhdojë më pas në mënyrë strikte të njëjtin aktivitet me atë që ka ushtruar më parë transferuesi. Pas transferimit duhet të sigurohet, autonomia (pavarësia) e tërësisë së aseteve që transferohen, qoftë kjo si një transferim tërësor i aseteve ose si transferim i një tërësie të pjesshme.

Natyra e transferuesit dhe e marrësit të transferimit

Mosaplikimi i TVSH-së për transferimet e një tërësie të plotë apo të pjesshme të aseteve kërkon që transferimi të kryhet midis dy personave të tatueshëm që e shfrytëzojnë veprimtarinë e transferuar për një veprimtari të tatueshme si rezultat i së cilës do të paguajnë TVSH.

Kujdes!
Mosaplikimi i TVSH-së nuk zbatohet kur transferimi realizohet nga një person i tatueshëm që paguan TVSH në përfitim të një personi të tatueshëm të përjashtuar (jo pagues të TVSH- së).

Mallrat dhe shërbimet e përfshira

Transferimi i veprimtarisë zbatohet për tërësinë e aseteve (të mallrave dhe shërbimeve),*00 që i përkasin tërësisë së transferuar, ose tërësisë së pjesshme të transferuar, cilado qoftë natyra e tyre.

Tërësia e aseteve të një personi të tatueshëm në një veprimtari ekonomike përbën fondin e investimit, i cili përfshin stokun, pasurinë e paluajtshme, aktive të trupëzuara, ose të patrupëzuara, patentat e ndryshme, kontratat e punësimit, etj.

Procedura e transferimit të veprimtarisë dhe rregullat që duhet të zbatohen:

1) Transferimi i veprimtarisë bazohet mbi një kontratë (akt transferimi) të noterizuar midis transferuesit dhe marrësit të transferimit i cili regjistrohet në pasqyrat financiare të ndërmarrjes;
2) Të gjitha të dhënat, librat dhe regjistrimet që kanë të bëjnë me tërësinë e aseteve apo pjesën e tyre që është transferuar, të detyrueshme për t’u mbajtur, pas transferimit, në vend të transferuesit duhet të mbahen nga marrësi i transferimit.
3) Transferimi të bëhet ndërmjet dy personave të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në.
4) Për aktivet e luajtshme që transferohen, afati i rregullimit në përputhje me ligjin, fillon nga data e blerjes ose prodhimit të aktivit nga personi i tatueshëm transferues.
5) Rregullime të TVSH-së së zbritshme, bazuar në parimin dhe të drejtën e zbritjes, sipas rastit do të bëhen përkatësisht kur kemi të bëjmë me ndryshime të veprimtarisë nga veprimtari e tatueshme në të përjashtuar nga TVSH-ja.
6) Palët e përfshira në transferim, në aktin e transferimit, duhet të shprehen dhe të
evidentojnë TVSH-në e zbritshme dhe të drejtën e kalimit të saj ose jo, tek marrësi i transferimit.
7) Autoriteti tatimor bën vetërregullimin e TVSH-së nëse transferuesi nuk e ka kryer atë
dhe personi i tatueshëm marrës i transferimit nuk gëzon të drejtën të njohë si të zbritshme këtë TVSH.
8) Në çdo rast akti i transferimit (kontratë e noterizuar) shoqërohet detyrimisht me një
kartelë ku evidentohet çdo aktiv i trupëzuar (i luajtshëm dhe i paluajtshëm), vlera e tatueshme dhe TVSH-ja e zbritshme në momentin e blerjes ose prodhimit të aktivit të vërtetuar me dokumentacionin përkatës të blerjes së aktivit dhe data e blerjes së tij.
9) Transferuesi e dokumenton me faturë tatimore shitje transferimin e tërësisë së aseteve ose tërësisë së pjesshme ku evidentohen zërat përkatës të bilancit që transferohet dhe vlera totale e transferimit. Nëse transferuesi lëshon një faturë që përfshin TVSH-në, ai është përgjegjës për TVSH-në e faturuar. Në raste të tilla, marrësi i transferimit nuk gëzon të drejtën të zbresë TVSH-në.
10)Transferuesi dhe marrësi i transferimit detyrohen që të njoftojnë autoritetin tatimor kur kryejnë transferim të veprimtarisë ekonomike, të paktën 45 ditë kalendarike përpara se të ndodhë transferimi.