Në një takim me liderët e biznesit dhe kryeministren Theresa May, në ditën e dytë të vizitës së tij në Britaninë e Madhe, presidenti amerikan, Donald Trump tha se beson se Britania mund të ketë një marrëveshje thelbësore tregtie me Shtetet e Bashkuara pasi të dalë nga Bashkimi Europian.
Vizita e Trump në Mbretërinë e Bashkuar është pritur me protesta në shumë qytete të vendit, ndërkohë që edhe pjesa e mbetur e qëndrimit të tij do të shoqërohet nga manifestime.
Të hënën në mbrëmje, Trump ishte i ftuari i Mbretëreshës Elizabeth II, në një darkë shtetërore në “Buckingham Palace”, ku ai lavdëroi miqësinë e përjetshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ne jemi të nderuar që jemi të ftuarit tuaj në këtë vizitë historike. Faleminderit për mikpritjen dhe miqësinë thuajse 7-dekadëshe të Madhërisë suaj me Shtetet e Bashkuara”, tha Trump.
Mbretëresha Elizabeth II, ndërkohë, tha se dy vendet kremtojnë aleancën që ka garantuar sigurinë dhe prosperitetin e dy popujve për dekada.
“Ne shohim nga e ardhmja dhe jam e bindur se vlerat dhe interesat tona të përbashkëta do të vazhdojnë të na bashkojnë. Sot ne festojmë një aleancë që ka ndihmuar të garantojë sigurinë dhe prosperitetin për popujt tanë për dekada, e që unë besoj se do të zgjasë edhe për shumë vite në vijim”, tha Elizabeth II.
Vizita e presidentit koinçidon me përkujtimin e 75-vjetorit të zbarkimeve të asaj që njihet si “D Day”, ku Mbretëresha dhe Trump do të marrin pjesë të mërkurën.
Trump shoqërohet nga bashkëshortja, Melanie Trump. Ndërkohë, vajza e tij +, Ivanka, mbërriti në Britani të Madhe përpara presidentit. Të dielën, ajo postoi një fotografi nga jashtë Muzeut Victoria dhe Albert në perëndim të Londrës.