“Serbia e ka ‘çliruar’ Kosovën më 192”, kështu është shprehur ambasadorja serbe Snezhana Jankoviç.
Letra e saj dwrguar gazetës “Neue Zürcher Zeitung” tregon se diplomacia serbe është tejet vigjilente dhe nuk ngurron edhe të manipulojë “në emër të interesave nacionale”.
Ndërkohë diplomacia kosovare sidomos në Europën Perëndimore ende nuk arrin të belbëzojë të vërtetën.
Para tri javësh profesori Oliver Jens Schmitt shkroi një artikull në gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» pas deklaratave të kryeministres serbe për «njerëzit nga mali», siç iu referohej ajo udhëheqësve politikë të Kosovës.
Schmitt, autor i biografisë së parë serioze të Skënderbeut, autor i një libri mbi historinë e Kosovës dhe i shumë punimeve e botimeve të tjera mbi çështjet shqiptare, shkroi se një pjesë e deklaratës së Ana Bërnabiçit e ka burimin në historinë e ngahershme të racizmit antishqiptar në Serbi.
Ky racizëm u shfaq në çerekun e fundit të shekullit të ’19, kur shteti nacional serb nisi të shtrihet në drejtim të jugut, në krahinat e Perandorisë Osmane, ku jetonin edhe serbë.
Në tekstin e tij profesori Schmitt nënvizon se edhe para pushtimit serb të Kosovës më 1912 ekzistonin imazhe raciste mbi shqiptarët si luftëtarë fisesh, të egër dhe të pakulturuar.
«Pas vitit 1878 politika serbe u fokusua në Vilajetin e Kosovës me kryeqytet Shkupin, ku jetonin etni të ndryshme, por serbët ishin pakicë. Grupin më të madhe e përbënin shqiptarët sunitë.
Në Serbi pretendimi ndaj Kosovës arsyetohej historikisht dhe me civilizim.
Thuhej se si Serbi e Vjetër rajoni qenkësh zemra e kulturës serbe, se popullsia shumicë shqiptare paskësh ardhur aty tek vonë dhe na qenkësh në nivelin më të ulët të mundshëm kulturor. Një kryeministër serb tha se shqiptarët kanë pjesë të bishtave», nënvizoi Schmitt. Ai përmend edhe fushatën e egër të viteve ’50 për dëbimin e shqiptarëve në Turqi dhe dhunën e shfrenuar serbe në vitet ’90.
Kundër shkrimit të historianit Oliver Jens Schmitt ka reaguar në numrin e së mërkures Snezhana Jankoviq, ambasadore e Serbisë në Zvicër.
Ajo shkruan se më 1912 Serbia e ka «çliruar Kosovën», nuk e ka pushtuar, siç thotë Schmitt.
Ambasadorja shkruan se Schmitt merret vetëm me shekullin e ’19 dhe injoron «800 vjet histori», sepse Kosova që në shekullin e ’12 paskësh qenë një ndër qendrat e shtetësisë, kulturës dhe fesë serbe.
Jankoviq thekson se numri i shqiptarëve në Kosovë në shekullin e ’16 ishte i vogël, ardhja e tyre pasoi më vonë.
Një ndër manipulimet e shumta në letrën e diplomates serbe është edhe ky: ajo thotë se «para çlirimit të Kosovës nga Serbia» më 1912 shqiptarët zhvilluan fazën e parë të «spastrimit etnik» të serbëve.
Kjo, sipas saj, ishte koncept i Lidhjes së Prizrenit, e cila synonte «Shqipërinë e Madhe».
Faza e dytë e «spastrimit etnik» të serbëve nga Kosova, sipas Jankoviq, u zhvilluar mes viteve 1941-1945 kur Kosova ishte «pjesë e projektit fashist të Shqipërisë së Madhe».
Ajo shkruan se në atë kohë 80 mijë serbë u përndoqën dhe 100 mijë shqiptarë u vendosën në Kosovë – pa ofruar asnjë të dhënë për këtë.
Gënjeshtra e radhës e ambasadores: deri në trazirat e marsit 2004 nga Kosova u dëbuan «mbi 220 mijë serbë dhe joshqiptarë të tjerë».
Largimi i armatës dhe policisë serbe nga Kosova më 1999 ka qenë pjesë e një «marrëveshjeje politike» dhe jo rezultat i disfatës, shkruan Jankoviq.
Si qeveria e saj edhe ajo e sheh Kosovën si pjesë integrale të Republikës së Serbisë nën administrim të OKB-së.
Gjasat që reagimi i diplomates serbe do t’i bëjë përshtypje historianit zviceran Oliver Jens Schmitt janë minimale, por letra e saj dërguar gazetës «Neue Zürcher Zeitung» tregon se diplomacia serbe është tejet vigjilente dhe nuk ngurron edhe të manipulojë «në emër të interesave nacionale».
Ndërkohë diplomacia kosovare sidomos në Europën Perëndimore ende nuk arrin të belbëzojë të vërtetën. / Dialogplus