Hetimet për shkaqet e vdekjes së Davide Astorit janë pasuruar me një kapitull të ri shqetësues.
Sipas “Quotidiano Nazionale”, Prokuroria Publike e Firences do të hapë një hetim të dytë, që do të hedhë hije të tjera dyshimi mbi punën e prof. Giorgio Galanti, mjekut të fundit që nënshkroi normalitetin e plotë shëndetësor të ish-kapitenit vjollcë për t’u marrë me sport.
Davide Astori vdiq natën e 4 marsit 2018 në dhomën e tij të hotelit, në prag të ndeshjes Udinese-Fiorentina.
Sipas informacionit të mbledhur nga gazeta në fjalë, zyra e prokurorisë ka gjetur një çertifikatë shëndetësore të datës 10 korrik 2017, të së njëjtës ditë, kur Astori mori “ok” shëndetësor nga mjekët.
Sidoqoftë, në dokument thuhet se zemra e Davide i ishte nënshtruar “tendosjes”, domethënë kishte shkak për deformim të muskujve të saj. Për prokurorin Antonino Nastasi, kjo çertifikatë është e falsifikuar, do të jetë bërë kohët e fundit, para ose pas 19 prillit 2019, ndoshta për të minimizuar akuzat për “paaftësi dhe neglizhencë”, që rëndojnë mbi Galanti.
Profesori, në fakt, tashmë është hetuar në vetë të parë bashkë me mjekun nga Cagliari, Francesco Stagno. Galanti në hetimin e ri do të akuzohet edhe për falsifikimin e çrtifikatës shëndetësore të Astorit. Marsin e kaluar, hetimi i parë për vdekjen e Davide Astorit u mbyll dhe është pothuajse e sigurt se Prokurori Publik do të ngrejë akt-akuzë ndaj Galanti dhe Stagno.
Sipas prokurorisë, të dy mjekët kanë dështuar të konstatojnë problemet shëndetësore, që dolën gjatë testeve të stresit të Astorit në vitin 2014 te Cagliari dhe më 2016 e 2017 në Firence.