MENU
klinika

Dom Lazër Shantoja

Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt?

11.07.2019 - 13:39

Korça ishte qytet! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta. Nji pastërti të pakundshoqen në tanë Shqipnìn. Tepsì. Ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë. Më dukej se ishem në nji qytet t’Engadinës. Malet përreth cikalue me borë më kujtojshin pikturat e Segantinit. U enthuzjazmova për Korçë. Aty bâna edhe nji zbulim t’interesantshëm. Shkova nji ditë me pamun Motrat Stigmatine. Më përsillte nji çupkë korçare.

 

 

 

Më pyet: “A i keni motra?” “Jo, – i përgjegji, – nuk i kam motra, por kështu i quejmë na.” Më pyet prapë çupa e vogël, çiçeronka e ime: “Po prej nga jeni ju?” I përgjigjem: “Prej Shkodre!” E ajo me serjozitetin mâ të madh: “Eh!

Prandaj nuk dini me folë shqip…!” Si mos me qeshë? Lotët me duelën prej gazit.

Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi. Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës.

 

 

 

Me nji zonjushë korçare nuk ke frikë se bân nji gaffe me folun, bje fjala, mbi kromatizmin e Debussy-it apo mbi librin e fundit të Daniel Rops-it. Janë “à la page”. Korça m’âsht pëlqye tepër.

Kam dalun prej Korçe tue bluemun nëpër mend lamshin e nji përralle të Hoffmann-it. Ai shkruen për nji shpirt qi rrinte ndryemun në nji vjolinë.

Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt…?

 

Tiranë-Korçë, në ‘Tomori”, 29 mars 1941.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Katedralja "Ringjallja e Krishtit"

“Në zemër të Krishtit” në Korçë

Artistët i lumturon publiku

“Jarmarka” ruse ndizet në Korçë


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale