MENU
klinika

Vizitë treditore në Kanada

Presidenti i Ukrainës kërkon mbështetje nga Kanadaja

01.07.2019 - 15:43

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenskiy po shkon në Toronto për bisedime me zyrtarët më të lartë kanadezë dhe për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare që synon mbështetje për procesin e reformave të Ukrainës dhe rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik.

Gjatë udhëtimit të tij në 1-3 korrik, Zelenskiy do të marrë pjesë në Konferencën e tretë të reformës në Ukrainë, e cila pritet të mbledhë së bashku më shumë se 300 vetë, duke përfshirë ministrat e jashtëm, krerët e institucioneve ndërkombëtare dhe aktivistët e shoqërisë civile.

Zelenskiy do të takohet edhe me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, Ministren e Jashtme Chrystia Freeland, anëtarët e parlamentit dhe përfaqësuesit e biznesit, sipas zyrës presidenciale të Ukrainës.

Zelenskiy dhe Trudeau do të diskutojnë “përpjekjet e reformës së Ukrainës në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, gjendjen e sigurisë në rajon dhe si të thellojnë më tej marrëdhëniet tregtare Kanada-Ukrainë”, tha në një deklaratë zyra e kryeministrit kanadez.

Zelenskiy u përurua si president më 20 maj. Vizita e tij në qytetin juglindor kanadez vjen përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Ukrainë të vendosura për në 21 korrik.

Konferenca e Reformës në Ukrainë do të zhvillohet nga 2 deri në 4 korrik.

“Duke u vendosur midis zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, kjo konferencë vjen në një kohë të përshtatshme për të përforcuar themelet e reformës demokratike dhe për të ruajtur vrullin e krijuar në konferencat e mëparshme të mbajtura në Londër në 2017 dhe Kopenhagë vitin e kaluar”, tha qeveria kanadeze në një deklaratë .

Zelenskiy u zotua se nën udhëheqjen e tij Ukraina do të zbatojë reformat dhe do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe ripohoi rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Moska e ka bërë të qartë kundërshtimin e saj ndaj zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, veçanërisht sa i përket Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pasaportat ruse për ukrainasit

Zelensky refuzon ofertën e Putinit