MENU
klinika

Shasi i vjetër ilir

Nga një kishë për secilën ditë…

09.07.2019 - 14:23

       Qytetërimi shqiptar më shumë ndodhet nën dhe sesa mbi të. Në viset etnike shqiptare në Mal të Zi, mbi të gjitha në rajonin e Ulqinit, janë një numër i madh i monumenteve të trashëgimisë sonë nga historia e hershme, ku zë vend edhe qyteti i lashtë i Shasit, sot qytet që nuk banohet.

Shasi është vendbanim antik ilir, që ngrihet në malin po me të njëjtin emër. Këndej pari, në periudhën antike ka kaluar rruga e lashtë lidhëse në mes Ulqinit dhe Shkodrës. Shasi në literaturë njihet si: Suatio, Suaço, Savocci, Svaciao, Fshas etj. Baza e qytetit të lashtë është ndërtuar nga gurët e mëdhenj, ndërsa murin rrethues stihitë e kohës e kanë dëmtuar shumë; ky mur bart vlera të mëdha arkitektonike dhe artistike. Edhe sot e kësaj dite aty qëndrojnë dy portat e qytetit.

 

 

 

 

Shasi, për herë të parë u përmend në dekretin e papës Aleksandri i Dytë, më 1067-wn, si qytet Ipeshkvi. Në vitin 1183 pushtohet nga Stefan Nemanja dhe me atë rast barbarët e shkatërruan Shasin. Qyteti u mëkëmb, por përsëri pasoi sulmi i mongolëve më 1242, të cilët e shkatërruan krejtësisht.

Në fund të shekullit XIII e rindërtoi mbretëresha Jelena, ku edhe përjetoi kulmin e vet qytetar dhe tregtar deri në shekullin XVI, kur përfundimisht u sulmua dhe u shkatërrua nga turqit, më 1571. Nga ky vit, Shasi njihet si “qyteti i vdekur”. Në këtë vit turqit e pushtojnë edhe Ulqinin dhe Tivarin, ku banorët vriten dhe qyteteve u vihet zjarri.

Mirëpo, kur kemi të bëjmë me veprimin kishtar, Shasi ka pasur kisha aq sa ka ditë viti e që është rast unik në botë, kurse tani shihen vetëm themelet e tetë kishave, të cilat i përmend edhe Justiniani (1533) dhe më vonë Marin Bici (1610), katedralja e Kishës së Shën Gjonit, e ndërtuar me stil gotik dhe Kisha e françeskanëve të Shën Mërisë, të lashta rreth 1300 vjet. Të gjitha kishat në Shas, kanë qenë të zbukuruara me dekorime arkitektonike dhe afreske, në disa prej tw cilave edhe tani dallohen gjurmët e ngjyrave në mure.

 

 

 

 

Pjesët e mbetura të fortesës gjenden në shkrepa. Përveç Shasit, në periudhën veneciane rreth liqenit të Shkodrës ishin edhe qytetet: Trishti, Danja dhe Sarda.

Arqipeshkvia e Tivarit (mbi 900 vjet) ishte baza kryesore e katolicizmit në Shqipërinë e Veriut, por edhe ipeshkvia e Shasit e luante të njëjtin rol për zonën e vet. Në vitin 1443, ipeshkëv i Shasit ka qenë Palë Dushmani.

Edhe Pjetër Bogdani e përmend Shasin, në shkrimet e tij, duke thënë se shtrihet në perëndim mbi qytetin e Tivarit, në very, deri te Kravari dhe në lindje përfundon me lumin e Bunws.

Sikur të bëheshin hulumtime nënujore, do të gjendej edhe më shumë nga Shasi, kjo trashëgimi e pa- hulumtuar nga ana e jonë është fshehur nga sllavët me shekuj. Ka edhe fakte që dëshmojnë se gjatë verës, kur niveli i ujit të liqenit të Shasit është i ulët, shihen pjesë të mureve të shtëpive të dikurshme të banimit.

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kjo gjuhë sot është e fikur ,e harruar

Arvareshu – kjo gjuhë protosarde ilirike

Arkeologjia shqiptare dje dhe sot

Gërmim në të kaluarën e paraardhësve tanë

Filip Shiroka – poeti i dallëndysheve

“Kombi qytetërohet me mësimin e gjuhës”