MENU
klinika

Fotografia-art

Shqipëria në objektivin e Willy Ronis

09.07.2019 - 11:59

       Nuk ka shumë kohë që në Paris, në “Cité Universitaire”, shoqata franceze “ALBANIA” organizoi një ekspozitë për Tiranën, e parë me sytë e tre fotografëve: Willy Ronis, Goksin Sipahioglu dhe Roland Tasho. Një lloj triptiku në tri kohë: francezi Ronis në vitin 1938, turku me origjinë shqiptare Sipahioglu në vitin 1961, dhe shqiptari Tasho në vitet 90’ të fund-shekullit të XX. Nëse fotografitë e Tashos, tashmë i njohim mirë dhe po kështu, fotografitë e Sipahioglu, i cili na i paraqiti ato disa vite më parë, në një ekspozitë në Galerinë e Arteve në Tiranë, serinë e fotografive të Willy Ronis ne nuk e njohim ende. Kuptohet që ato janë fotografitë e fillimit të karrierës së tij fotografike, por Ronis konsiderohet sot, si një ndër fotografët më të mëdhenj të botës.

Jeta e tij po kap pothuaj shekullin. Në moshën 97-vjeçare, ky artist i madh, bashkëkohës dhe mik me Robert Capa, Henri-Cartier Bresson dhe i fotografëve të tjerë të mëdhenj, po nxjerr nga arkivi i vet gjithçka ka fiksuar nëpër vite, mijra e mijra negativë dhe pllaka fotografike dhe padyshim, seria shqiptare meriton një ekspozitë më vete. Sigurisht, Ronis ka krijuar një individualitet që dallon nga fotografët e tjerë francez të mëdhenj, Doisneau, Capa, etj, Në arkivin e tij janë fiksuar vite, njerëz e mjedise që sot nuk janë më, jeta në ngjizmën e poetikën e vet. Objektivi i tij e kapte jetën ashtu siç ishte, e regjistronte atë në gjëndje të lirë, të pa «inskenuar», apo të rikrijuar, në natyrshmërinë e vet: fëmijë që lozin nëpër rrugë, të dashuruar, pamje të jetës qytetare nga një dritare apo shkallare e lartë, jeta e njerëzve buzë Senës, sheshet, kafenetë dhe mbrëmjet ku gëlonte jeta. Edhe kur do të fotografonte brënda një dhome, ky artist do të preferonte gjithnjë dritën natyrore, dritën që vinte nga jashtë, burimin e dritës diellore. E brenda kësaj drite «rishkruhej» jeta, epoka, kostume dhe tradicione, gjëndje të trishta dhe të gëzuara, festa popullore dhe nudo. Po, trupi femëror ishte për të një nga objektet më pasionante dhe më ideale të tij. Trupi që flet… Po cili ishte ky fotograf i madh që në jetën e tij piktakoi Shqipërinë ?

 

 

 

Willy Ronis rrjedh nga një familje që u vendos në Paris në fillimet e shekullit XX. Babai i tij ishte një çifut nga Odesa, i cili zbarkoi në Paris në vitin 1904. Ai ishte fotograf dhe shumë shpejt u martua me një lituaneze. Willy lindi në maj të vitit 1910. Kur ishte i vogël, aipëlqente muzikën dhe nuk ëndërronte të bëhej fotograf. Ai donte të bëhej kompozitor. I binte violinës. Megjithatë, fillimthi, ai filloi si “çirak” te i ati. Kur ishte 16 vjeçar, i ati i bleu një aparat Kodak 6,5×11 cm, dhe ndoshta kjo do të zgjonte te ai dëshirën e fotografisë. Në vitin 1936, në kulmin e ngjarjeve të Frontit Popullor në Francë, i ati i vdiq dhe studio mbeti në duart e tij. I duhej të vazhdojë punën e të atit që të mbante familjen e tij. Atëherë, me aparatin në dorë, veç punës në studio, ai filloi të ndiqte kronikën e ditës, manifestimet popullore, jetën në dinamikën e vet, fabrikat, uzinat. Pra fillimet e tij janë ato të një «reporter-illustrateur». Madje ai ishte një simpatizant i hapur i së majtës popullore, çka do ta lidhte dhe me miq të të njëjtave ideale, si me Robert Capa dhe fotografët e tjerë Chim apo Naf Avnon, një tjetër fotograf çifut.

Ishte një kohë entusiazte. Capa me të tjerë shkoi në Spanjë dhe fiksoi imazhet e Spanjës republikane. Por, Willy nuk mund ta braktiste studion e tij. «Po të mos kisha studion dhe të isha i lirë, dhe unë do të shkoja në Spanjë», – tregonte Ronis. Madje, së bashku, ata kishin përgatitur një vit më parë në Paris dhe ekspozitën për Spanjën: «Expo 1937 – Pavioni i paqes». Ai tani kishte dhe dy aparate të tjerë, një objektiv 4,5x6cm dhe një tjetër 6×9 cm. Por një vit më vonë do t’i blinte një refugjati gjerman një «Rolleiflex», të cilin do ta merrte me vete në Shqipëri. Më 1938-ën, ai do të nisej drejt Ballkanit.

 

 

Imazhet e përgjumura shqiptare

 

Pas pushtimit të Abisinisë, Musolini filloi një presion të madh në shtetet e Ballkanit, që i shikonte si zona të veta të influencës. Planet ishin bërë dhe tensionet në Ballkan ishin të dukshme. Ai e kuptoi se një reportazh nga Ballkani i trazuar do të ishte me interes për agjencitë e mëdha fotografike, veçanërisht përtej Atlantikut. Një shok i tij i ushtrisë, sapo kishte krijuar në atë kohë një shoqëri të re lundrimi dhe organizonte vizita turistike nëpër Mesdhe. Atë kohë ishte caktuar një udhëtim në itinerarin Jugosllavi, Shqipëri, Greqi. Ky udhëtim e joshi dhe pasi u përgatit me materialin e nevojshëm, ai u nis drejt porteve të Greqisë duke ndaluar pastaj në Durrës. Ronis duhej të fotografonte gjithashtu dhe për llogari të agjencisë turistike, e cila i kishte kërkuar imazhe për qëllime turistike. Ndërkohë, ai mendonte veçanërisht për reportazhin e tij që kishte filluar: Les Balkans de nouveau en danger (Ballkani përsëri në rrezik). Pamjet nga Shqipëria që ruhen në arkivin personal të Ronis ende nuk janë zbuluar në publik. Ato janë pamje mbi portin e Durrësit, mbi jetën, sheshin e qytetit, pazari, ministritë… Mjerisht, Ronis nuk i ruan shënimet e asaj kohe, përshtypjet e këtij vëndi disi të largët nga metropoli i Evropës.

Në kthim nga Ballkani, ai i zhvilloi negativët në laboratorin e mikut të tij Robert Kapa, në «Rue Froidevaux», pranë Montparnasse. «Ballkani atëherë u tensionua, – kujton Ronis në librat e biografëve të tij. – Bashkë me negativët, shkova në studion e tij dhe stampuam 140 fotografi të titulluar «Kthim nga një udhëtim i fundit i reporterit tonë Willy Ronis në Ballkan». Nën drejtimin e Capa-s, këto i dërguam në pesë vende evropiane si dhe në SHBA. Por lufta filloi dhe ne nuk patëm asnjë jehonë për to”. Ronis priste komandën për të bërë të njohura fotografitë e tij nga Ballkani, por koha do të sillte ngjarje të reja: Italia fashiste do të pushtonte Shqipërinë. Ndërkohë dhe Franca filloi të ziente. Hitleri po kërcënonte tashmë gjithë Evropën. Ngjarjet e reja franceze nuk e lanë të merrej gjatë me reportazhin e tij nga Ballkani, i cili mbeti pa u botuar. Që atëherë, imazhet shqiptare janë përgjumur për afro 70 vjet në kutitë e fotografit të madh. Eshtë koha që të zbulohen për të na treguar copëza të asaj jete të dikurshme që sot padyshim nuk ekzistojnë më.

 

 

«Fotografitë: fëmijët e mi»

 

Pas vitit 1947, filloi krijimtaria e vërtetë artistike e Willy Ronis. Capa ishte vrarë në Spanjë. Po kështu dhe gruaja e tij, në frontin e Terruel-it, të cilën Ronis e kishte njohur shumë mirë në Paris. Gjatë luftës, Ronis ishte martuar dhe më pas ishte mobilizuar si ushtar në aviacion. Ai u kap rob nga gjermanët, por shpejt u arratis dhe shkoi në Nice, në jug të Francës, ku u bashkua me grupin e poetit Jacques Prevert dhe që andej vazhdoi jetën e rezistencës, atë të maleve. Kur më 1947 mori çmimin «Kodak», Ronis u angazhua menjëherë nga revista e famshme Life, në të cilën punonte dhe fotografi i shquar me origjinë shqiptare Gjon Mili. Ishte ai që e furnizonte revistën me pamje nga Franca, nga Parisi dhe jeta qytetare, etj. Në këtë kohë, ai u angazhua dhe me grupin artistik Groupe des Quinze, me të cilët organizonin ekspozita kolektive. Botoi disa reportazhe në revistat franceze Point de vue, Regards, Illustration, L’Ecran français, etj. Në vitin 1949, fotografia e tij Nu provençal, (Nudo provenciale) e bëri atë të njohur në të gjithë botën. Ishte një fotografi nudo, e gruas së tij, në një «interier» famijar, në shtëpi, ku nga drita që vjen nga jashtë duket trupi me kurriz i saj. Disa herë në «Takimet Ndërkombëtare të fotografisë në Arles», apo në Paris ai është takuar me Gjon Milin. Ai e vlerësonte në veçanti gjeniun e fotografisë dhe autorin e portreteve të mrekullueshme të Picasso-s, apo të artistëve të tjerë francezë, në teknikën e tij të foto-dinamikës. Interesant është fakti se atëherë Gjon Milli përpiqej të vinte në Shqipëri, për të parë atdheun e prindërve të tij. Por duke qënë shtetas amerikan, këtij artisti të madh viza do t’i refuzohej nga ambasada shqiptare në Paris.

Willy Ronis çmonte artin e vërtetë dhe asnjëherë nuk pranoi të bënte «photo-choc», apo të ishte një «paparazzo», siç i quajti Fellini këta fotografë të skandaleve gjatë xhirimit të filmit La dolce vita. Në vitet 50’, Ronis kishte fotografuar të famshmen La danseuse au soleil (Balerina në diell), ku duket një femër bjonde që në një moment ka kërcyer në sfondin e një plazhi dhe në dritën e mëngjesit. Ajo fotografi botohej shpesh në revistat e Parisit. Por vite më vonë, atij i erdhi në studio një burrë i panjohur. Ishte i shoqi i asaj. Ajo femër tashmë kishte vdekur dhe sa herë që ai e shikonte këtë fotografi në revista, kjo gjë i shkaktonte një dhimbje të jashtëzakonshme. Ai iu lut që të mos e botonte më. Dhe që nga ajo ditë, ajo fotografi nuk do të botohej, edhe pse ishte një nga veprat më të bukura të tij.

 

 

 

 

 

Në jetën artistike dhe itinerarin krijues të Willy Ronis mund të përmëndim Medaljen e tij të Artë në “Bienalen e Venecies”, në vitin 1957; çmimin “Grand Prix National” i Ministrisë së Kulturës franceze në “Takimet ndërkombëtare të Arles”, 1980; çmimin “Prix Nadar” në vitin 1981, për botimin e albumit të tij Në fillin e rastësisë, si dhe një numër të madh çmimesh të tjera e albumesh fotografike nga jeta e përditshme pariziane, të cilat konsiderohen nga kritika fotografike si një “sagë poetike”. Të dashuruar dhe përsëri të dashuruar, në të gjitha moshat. Ronis kërkonte ta zbërthente botën e tyre përmes dritës që hynte vrullshëm në kuadrin e objektivit. «Fotografitë e mia janë copëza jete», – thoshte ai, dhe më pas shtonte: «Ç’është një fotografi e mirë?… Ajo përmes së cilës unë kam komunikuar emocionin që e lind atë».

Në librin e tij të fundit, Derrière l’objectif” (Pas objektivit), Ronis shkruan për estetikën e tij dhe mendimet mbi artin e fotografimit. Për të, objektivi njerëzor është vetë «syri». Pra për të «nuk është aparati që mendon, por mëndja e fotografit». «Të fotografosh,  – shkruan ai, – është një akt i vullnetshëm, i diktuar nga një motiv personal».

Duke iu rikthyer nudove të tij të mrekullueshme, dhe në veçanti Nu provençal, le të citojmë një kujtim të tij të shkruar vite më parë: «Verë e nxehtë e vitit 1949. Marie-Anne është duke u larë në lavaman. Unë hyj rastësisht dhe i them: qëndro aty ku je! Rolleflex-i im është diku pranë karriges. Bëj katër poza dhe gjithçka mbaroi brënda dy minutave. Kjo ishte fotografia ime «fetish», më e vyera, fotografia që është shfaqur kudo. Mrekullia ekziston. Unë e pikëtakova atë!» Ja pse fotografitë e tij, ai i quante gjithnjë «fëmijët e mij». Nuk do të jetë ndoshta e largët dita, që imazhet e përgjumura të Willy Ronis do t’i prezantohen publikut shqiptar. Do të duhej që brenda shekullit të tij, ky «dinozaur» i fotografisë botërore të zbarkonte sërrish në Shqipëri… /Konica.al

 

 

Luan Rama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Frojdi, psikanaliza dhe letërsia

“Ëndrrat shprehin kujtime dhe njohuri”