MENU
klinika

"Njihni ligjin"

Tatimet paralajmërojnë qiradhënësit: Kini kujdes

24.07.2019 - 13:37

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka kërkuar të gjithë qytetarëve të cilët lëshojnë prona me qira të njohin ligjin para se të ndërmarrin veprime.

Sipas njoftimit, çdo individ ka të drejtë të shfrytëzojë asetet që zotëron (shtëpi, apartamente, etj) për të përfituar të ardhura në formë të ligjshme. Sipas ligjit, këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15%.

DPT tha se në rastin kur prona është dhënë me qira një subjekti të regjistruar, ky i fundit është përgjegjës për mbajtjen, deklarimin dhe pagesën e tatimit në burim për llogari të organit tatimor.

Ndërsa kur qiramarrësi (paguesi i të ardhurave) është një person i paregjistruar, si në rastin e turistëve vendas apo të huaj, qiradhënësi është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor, tatimin në burim jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

DPT tha se për të kryer deklarimin dhe pagesën, fillimisht duhet bërë regjistrimi. Për të bërë këtë duhet bërë paraqitja në zyrat e Shërbimit për tatimpaguesit në Drejtorinë Rajonale Tatimore për të regjistruar përgjegjësinë tatimore të tatimit në burim (jo në QKB).

DPT ka njoftuar qytetaret të bëjnë kujdes pasi deklarimi i tatimit në burim nuk rregullon rastet kur jepni me qira mjedise në pronësinë tuaj, të cilat shërbejnë si njësi të mirëfillta akomodimi për turistë.