MENU
klinika

Marrëveshja bërthamore me Iranin

Trump është tërhequr nga marrëveshja për shkak të Obamës

14.07.2019 - 16:39

Ish-ambasadori britanik në Uashington, Kim Darroch thotë se beson se presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, sepse sipas tij, kjo marrëveshje ishte e lidhur me emrin e paraardhësit të tij, Barack Obama.

Kështu thuhet në një dokument që po qarkullon në media.

“Administrata është e vendosur mbi një akt të vandalizmit diplomatik, me sa duket për arsye ideologjike dhe arsye të personalitetit, sepse ishte marrëveshje e Obamës”, shkruante Kim Darroch në një kabllogram diplomatik në maj të vitit 2018, sipas dokumenteve të publikuara të dielën.

Kabllogrami është pjesë e grupit të dytë të dokumenteve që janë publikuar nga gazeta britanike Mail.

Ambasadori i Britanisë në Uashington, Kim Darroch, dha dorëheqjen të mërkurën, pas disa ditë kritikash nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të daljes në publik të disa dokumenteve të fshehta, në të cilat ai e quante administratën e presidentit Trump si të “paaftë”.

Trump, e quajti më pas ambasadorin Kim Darroch si “shumë budalla” dhe njoftoi se nuk do të merrej më me të.

Qeveria britanike fillimisht shprehu mbështetjen për ambasadorin, mirëpo më pas ai dha dorëheqjen, duke thënë se “në rrethanat e tanishme, është e drejtë të lejohet emërimi i një ambasadori të ri”.

Marrëveshja bërthamore – e cila i mundësonte Iranit lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor – ishte arritur gjatë mandatit të dytë të Obamës.Tërheqja e SHBA-së nga kjo marrëveshje ka çuar në rritjen e tensioneve ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.