MENU
klinika

Project Syndicate

Brenda protestave të Hong-Kongut

22.08.2019 - 09:27

Miliona njerëz në Hong-Kong duan të largojnë të pashmangshmen: integrimin e detyruar të qytetit në territorin e Kinës. Tani vendi është i përçarë. Në njërën anë janë ata, si udhëheqësja, Carrie Lam, që do të preferonte të arrinte një lloj zgjidhjeje me qeverinë kineze; nga ana tjetër janë ata që kanë dalë në rrugë këtë verë. Secila palë e konsideron tjetrën si tradhtarë. Lam dëshiron të jetë në anën e njerëzve, por që në fund të fundit duhet të bëjë siç i thuhet nga ata që e emëruan.

Protestuesit e rinj, megjithatë, përfaqësojnë diçka unike.

Në fillim të këtij muaji, unë isha mes tyre gjatë dy prej episodeve më intensive deri më tani, më 11 gusht, kur policia plagosi një grua, dhe së fundmi, kur protestuesit me maskë pushtuan aeroportin e Hong-Kongut për dy ditë.

Në fillim, demonstruesit duket se ishin në një situatë të ngjashme me atë të protestuesve të Maidan të Ukrainës pesë vjet më parë. Të dyja episodet përfshijnë një “provincë në revoltë” dhe një fqinj më të madh me fuqinë për të mposhtur demonstratat me forcë.

Por, ka edhe ndryshime. Protestuesit e Ukrainës kishin liderët, një strukturë organizative dhe një axhendë të qartë, për këtë arsye ata ishin në gjendje të negocionin me autoritetet kur erdhi koha.

Në të kundërt, protestat e Hong Kongut janë kryesisht pa udhëheqje.

Protestuesit njihen thjesht si njerëzit me të zeza. Për shkak se ata veshin maska, atyre nuk iu shihet fytyra. Dhe për shkak se ata vetë nuk e dinë se çfarë do të bëjnë tjetër, ata janë plotësisht të paparashikueshë. Ato mund të mblidhen në vende të caktuara menjëherë, dhe po ashtu shpërndahen. Policia nuk mund t’i kapë ata, e lëre më t’i numërojë ose të ndalojë ndonjë udhëheqës të identifikueshëm.

Autoritetet nuk mund të negociojnë me ta dhe as të përpiqen t’i përçajnë, sepse ata tashmë janë të përçarë. Ata janë anonimë madje edhe për njëri-tjetrin.

Ata komunikojnë përmes aplikacionit të mesazheve të koduara në Telegram dhe marrin vendime spontanisht.

Megjithëse Lam ka pezulluar projektligjin e diskutueshëm që shkaktoi demonstratat, që do të lejonte që të dyshuarit kriminelë në Hong-Kong të ekstradohen në territorin e Kinës, ajo nuk e ka hequr tërësisht atë.

Kina, pasi injoroi kryesisht protestat e Hong-Kongut, ka filluar t’i përshkruajë ato si një kërcënim, në mënyrë që të mashtrojë popullin kinez.

Këto përpjekje për të nxitur nacionalizmin kinez janë qartë përpjekje për të përgatitur terrenin për një ndërhyrje dhe përdorimin e forcës.

Askush në Hong-Kong nuk mund ta imagjinojë rajonin e tyre gjysmë-autonom të bëhet ashtu si çdo qytet tjetër kinez, që i nënshtrohet censurës. Për të rinjtë e qytetit në veçanti, ideja që kushdo që dëshiron të përparojë profesionalisht duhet të anëtarësohet në Partinë Komuniste të Kinës është absurde.

Por Kina nuk mund thjesht të heqë dorë. Hong-Kongu mund t’i shërbejë interesave të biznesit të Kinës dhe të tërheqë investitorë të huaj, por për sa kohë që qyteti është i lirë, do të jetë një tundim i papranueshëm për kontinentet. Prandaj, qeveria kineze është përpjekur t’i quajë protestuesit si “terroristë”.

Sławomir Sierakowski, themeluesi i lëvizjes Krytyka Polityczna, është Drejtor i Institutit për Studim të Avancuar në Varshavë dhe Këshilltar i Lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet e Jashtme.