293 pes – Themelohet tempulli më i hershëm i njohur romak i Venusit (ishte ndoshta kjo datë kur latinët filluan përshtatjen e emrave të perëndive nga përtej detit (Zeus për Jupiter dhe Afërditë për Venus). Kjo ngjarje shënoi edhe fillimin e institucionit Vinalia Rustica, një festival i vjeljes së rrushit, rritjes së perimeve, korrjeve dhe pjellshmërisë. Në mitologjinë romake, Vinalia Rustica është përmbushje e detyrimit ndaj para-ardhësit legjendar të Romës, Enea, i cili i premtoi Jupiterit të gjithë verën e cilësisë së mirë, në këmbim për fitore kundër sundimtarit etrusk Mezentius. Sipas mitologjisë, Venusi ishte nëna e popullit romak nëpërmjet djalit të saj, Enea, i cili i mbijetoi rënies së Trojës dhe u largua për në Itali; Jul Cezari pretendonte se princi trojan Enea, ishte paraardhësi i tij.
1227 Vdiq Jenghis Khan (60 vjeç) pushtues mongol, i quajtur fillimisht Temujin. Ai pasoi të atin, Yekusai, si kryetar fisi dhe pastaj luftoi për t’u bërë sundimtar i një konfederate mongole. Nga viti 1218 – 1224 ai pushtoi Turkistanin dhe Afganistanin, kontrolloi Persinë dhe Evropën lindore. Jenghiz Khan krijoi një prej perandorive më të mëdha që bota ka njohur ndonjëherë. Migrimet më të rëndësishme në historinë e Europës ishin dyndjet gotike, shek. 3 – 6; dato arabe, shek. 7 – 8; hordhitë mongole të Jenghiz Khanit, shek.13; dhe së fundi dyndjet osmane, shek. 14 -16.
1450 – Lindi në Split, Dalmaci, Marko Marulic, poet, humanist, i njohur si ’ati i rilindjes kroate’. Veprat i nënshkroi si Marcus Marulus, de Marulis, ose Dalmata. Marko ishte gjithashtu i pari që përcaktoi nocionin e psikologjisë, siç është sot në përdorim. Marko Marulis vdiq më 1525.
1587 – Virginia Dare, mbesa e Guvernatorit John White i kolonisë Roanoke, bëhet fëmija i parë anglez lindur në Amerikë. Më 1590, kur John White, u kthye në koloni nga një udhëtim furnizimit në Angli, ai e gjen atë të braktisur – fati i mbi 100 kolonëve, përfshi Virginian, kurrë nuk u mësua.
1850- Vdes Honore de Balzak. Opusi i tij letrar është sekuencë tregimesh e romanesh të njohur me titullin e përgjithshëm Komedia Njerëzore, panoramë e jetës franceze në vitet pas rënies së Napoleon Bonopartit, më 1815. Balzak ishte monarkist shumë konservator; në shumë mënyra, ai është antipod i republikanizmit demokratik të shkrimtarit Viktor Hugo. Megjithatë, trajtimi i mprehtë i realitetit dhe çështjeve të kohës fitoi respektin e shumë socialistëve dhe marksistëve. Engelsi thoshte se Balzaku ishte shkrimtari i tij e preferuar, ndërsa Marksi u referohej vazhdimisht romaneve të tij.
1899 – Lucy Payne Gaston themelon në Çikago Lidhjen Kundër Duhanit. U deshën rreth 100 vjet, që mbarë shoqëria të hidhej kundër duhanit.
1900 – Francezi Konstandin Persky përdor për herë të parë fjalën “Televizion” gjatë një referati në Konferencën Ndërkombëtare mbi Elektricitetin, në Paris.
1926 – Naftë zbulohet në Patos, në veri-lindje të Vlorës, 7 km nga Fieri, nën koncesionin e kompanisë britanike anglo-persiane – përllogaritjet treguan se sasia e mundshme e naftës ishte papërfitim, dhe fusha e Patosit u braktis, duke i hapur rrugën sipërmarrësve italianë. Patosi është sot qendra e industrisë shqiptare të naftës – madje edhe klubi sportiv i tij mban emrin Albpetrol.
1929 – Austria ndalon qarkullimin e romanit të Erik Maria Remark “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, ku autori sjell përvojën e një ushtari gjerman, simbol i një brezi të shkatërruar nga Lufta e parë Botërore edhe pse mund t’i kishte shpëtuar predhave. Në vitin 1933, kur nazistët erdhën në pushtet, “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” u bë një nga librat e parë të “degjeneruar” për t’u djegur publikisht.
1936 – Vdiq poeti dhe dramaturgu spanjoll Federico Garcia Lorca; mendohet se u vra nga ushtarët e Frankos, 3 ditë para shpërthimit të Luftës Civile.
Ishte 32 vjeç. Në vitin 2008, një gjykatës spanjoll vendosi të hetojë vdekjen e Lorkas, dhe kërkoi hapjen e varrit të poetit për ekzaminim – varri u gjet i zbrazët. Të debatueshme mbeten gjithashtu motivet dhe hollësitë e vrasjes; janë sugjeruar edhe motive personale, jo-politike. Ndërsa autori Ian Gibson (The Assassination of Federico Garcia Lorca), shkruan se vrasja Lorcas ishte pjesë e një fushate vrasjesh masive për eliminimin e mbështetësve të Frontit Popullor marksist në Spanjë.