Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekretoi ditën e sotme shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, pak ditë pasi deputetët votuan për një gjë të tillë.
Por, presidenti Thaçi, ende nuk ka shpallur një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë nga shpërndarja e parlamentit.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, presidenti Thaçi tha se “pas konsultimeve me partitë politike, nё përputhje me kompetencat kushtetuese, do tё vendos sё shpejti për datën e zgjedhjeve tё përgjithshme tё parakohshme”,shkroi ai duke nënvizuar se ky ёshtё edhe njё test shtesë për forcimin e demokracisë nё Kosovës, tё cilin sipas tij “institucionet, subjektet politike dhe qytetarët do ta kalojnë me shumë sukses”.
Vendimi për shpërndarjen e parlamentit pasoi dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj më 19 korrik, pasi u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.
Ende pa u shpallur zgjedhjet e reja, partitë janë përfshirë në një fushatë për ngritjen e koalicioneve të reja parazgjedhore.
Tashmë janë krijuar dy koalicione të tilla; njëri ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate dhe tjetri ndërmjet Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të debatojë të hënën mes tjerash edhe mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me lëvizjen Vetëvendosje, e cila është shprehur në favor të tij.
Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht me çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve te pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimet evropiane të tyre.