Pasi prej ditësh ka drejtuar publikisht akuza ndaj kryebashkiakut socialist të Vorës, dhe i ka kërkuar Prokurorisë nisjen e verifikimeve, Partia demokratike nxorri sot dokumentat që sipas saj vërtetojnë përfshirjen e zotit Kajmaku në një krim, të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularët e dekriminalizimit. “Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek. Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi”, deklaroi Sekretari i Pëgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, duke treguar një vendim të Prokurorisë dhe Gjykatës së Janinës, të Qershorit 2003.
Sipas drejtuesit demokrat, zoti Kajmaku, që në atë kohë përdorte identitet tjetër, atë të Jorgo Totos, është lënë më detyrim paraqitje dhe vetëm pas disa muajsh autoritetet greke kanë urdhëruar arrestin më burg, por në ndërkohë zoti Kajmaku, ishte kthyer në Shqipëri. “Sipas legjislacionit penal grek, gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit derisa ky shtetas të arrestohet ose t’i gjendet një adresë e saktë për t’i komunikuar akuzën. Sipas ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda.
Më duhet të theksoj edhe një herë, se urdhri i arrestit të gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi. Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg. Ai ka të paekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi”, theksoi zoti Bardhi.
Më herët zoti Kajmaku ka deklaruar se nuk ka qenë i dënuar apo dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE, as nga Greqia. Ai ka pranuar se ka ndërruar emrin në Jorgo Toto, por se ka mbajtur të njejtën atësi dhe mëmësi, ndërkohë që në dokumentat e publikuara nga Partia demokratike, personi Jorgo Toto, që sipas saj korrespondon me kryebashkiakun e Vorës, ka një atësi dhe mëmësi tjetër. Zoti Kajmaku ka publikuar gjithashtu dhe një dokument të lëshuar nga autoritetet greke, që sipas tij dëshmon se ndaj tij nuk ka ndonjë dënim apo procedim penal.
Edhe sot ai mohoi akuzat duke thënë se i qëndron deklarimeve të bëra më herët e duke folur sërish për një sulm politik. “Siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm. Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime”, shkruajti zoti Kajmaku në një postim në Facebook, ndërkohë që zyrtarisht Partia socialiste ka qëndruar në heshtje në debatin lidhur me të kaluarën e përfaqësuesit të saj.
Pas reagimit të kryebashkiakut Kajmaku, kryetari demokrat Lulzim Basha ju rikthye çështjes. “Agim Kajmaku nuk mund të bëjë dot viktimën! Ai duhet të përballet me drejtësinë shqiptare dhe greke për fakte konkrete, të bëra publike nga Partia Demokratike dhe për të cilat nuk ka thënë asnjë fjalë. Përpara se të dalë nga Bashkia e Vorës me pranga në duar, Agim Kajmaku duhet t’i japë përgjigje një pyetjeje shumë të thjeshtë: · A është ai personi i arrestuar në flagrancë në janar 2003 me emrin Jorgo Toto?”, shkruajti zoti Basha në Facebook.
Tashmë duket se gjithshka mbetet të qartësohet nga ballafaqimi i shenjave të gishtave. Prokuroria e ka thirrur zotin Kajmaku për të bërë depozitimin e tyre, në mënyrë që t’ja dërgojë autoriteteve greke për t’i krahasuar me ato të personit që është arrestuar në 2003. Nëse kjo do të vërtetohet, Kajmaku do të bëhej kryebashkiaku i dytë socialist, me precedentë në të shkuarën, pas atij të Shkodrës, Valdrin Pjetri. /Voa/