Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Kryetarin e Social-demokratëve gjermanë, Rolf Mützenich.
Balla shprehet se është diskutuar mbi vendimin e Bundestagut që autorizon Qeverinë Federale të miratojë vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kreu i Grupit Parlamentar gjithashtu shton se gjatë takimit ka rishprehur gatishmërinë për të përforcuar përpjekjet, me qëllim avancimin me axhendën e reformave që lidhen me BE-në.
“Padyshim që deputetët socialdemokratë në Bundestag do të votojnë unanimisht PRO fillimit të bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Me Kryetarin e sapozgjedhur të Grupit Parlamentar Rolf Mützenich diskutuam mbi vendimin e Bundestagut që autorizon Qeverinë Federale të miratojë vendimin e Këshillit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Gjatë takimit rishpreha gatishmërinë të përforcojmë dhe intensifikojmë perpjekjet, në mënyrë që të avancojmë me axhendën e reformave që lidhen me BE-në si dhe të arrijmë rezultate të mëtejshme, të prekshme dhe te qendrueshme. Mbetemi të përkushtuar të punojmë ngushtësisht me Gjermaninë, në mënyrë që të thellojmë progresin e mëtejshëm në reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, etj”, tha Balla në postimin e tij.