MENU
klinika

Agjenti shpallet në kërkim

Blerja e bujshme e Realit, me skemë të ‘pisët’!

18.09.2019 - 18:30

Skema të ndryshme për të shmangur taksa, apo për të bërë pastrim parash po përdoren gjerësisht në transferimin e futbollistëve.

Në një histori të tillë është përfshirë edhe agjenti me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Fali Ramadani, që këtë vit mbylli transferimin e tij të bujshëm të Luka Jovic, tek Real Madrid për 60 mln euro. Gjithsesi sot agjenti është shpallur në kërkim për pastrim parash dhe gazeta gjermane “der Spiegel” i ka shkuar më thellë kësaj historie.

Jovic është lojtar i dalë nga akademia e Partizanit të Beogradit në Serbi. Në moshën 17-vjeçare klubi serb shet 70% të kartonit tek Apollon Limassol në Qipro për 750 mijë euro, edhe pse vullneti i lojtarit ishte për të mos u larguar. Në janar Jovic mbush 18 vjeç dhe klubi qipriot blen edhe 30% të vlerës së kartonit të Jovic, këtë herë për 600 mijë euro.

Për Jovic caktohet paga 14,400 në sezonin e parë dhe dyfishi i kësaj në sezonin e dytë. Por, Jovic nuk luajti kurrë për Apollon Limassol, sepse u transferua direkt për tek Benfica në Portugali, aty ku do të paguhej 50 mijë euro në muaj, deri në fund të 2021.

Dyshimi lind këtu sepse Apollon Limassol ka blerë kartonin e disa lojtarëve në Ballkan, pa i marrë asnjëherë në skuadër dhe më pas janë shitur direkt tek një klub tjetër në një vlerë shumë herë më të lartë.

Klubi qipriot e bleu Jovic për 1.35 mln euro dhe e shiti për 6.65 mln euro tek Benfica, duke arkëtuar 5.3 mln euro për një lojtar që nuk e mori kurrë.

Këto 5.3 milionë euro dyshohet se shkojnë direkt në shtete, apo vende off-shore, të tilla si Qipro, Maltë dhe ishujt Karaibe. Njëri aksionar i Apollon Limasol është njëkohësisht pronar i agjencisë Lian Sports Limited me bazë në ishujt Karaibe, firmë ku agjenti Fali Ramadani është i punësuar.

Në këtë pikë kryhen të gjitha hetimet dhe 56-vjeçari është i përshirë në këtë skemë, që mendohet se është krijuar prej tij për të zhdukur para me shitje fiktive të lojtarëve të rinj.

Gjë që mendohet të jetë bërë edhe tek huazimi që Benfica lejoi Jovic të shkojë tek Eintracht Frankfurt, që më pas e shiti për 60 mln euro tek Real Madrid.

Agjenti Fali Ramadani është ndër njerëzit më me ndikim në transferimin e lojtarëve, por ai kurrë nuk ka dhënë intervista dhe nuk është shfaqur në publik, përveç lëvizjes së bujshme të Jovic, ku u shfaq krah futbollistit serb dhe presidentit të Real Madridit, Florentino Perez.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN